Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në Konferencën “Referencimi i Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve kundrejt Kornizës Evropiane të Kualifikimeve”, e organizuar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, me mbështetjen e Fondacionit Evropian për Trajnim.
Ministri Bajrami, me këtë rast, e vlerësoi të rëndësishëm diskutimin lidhur me procesin e përshtatshmërisë së Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve, si një temë e cila ndërlidhet me procesin e integrimit evropian.
Ministri Bajrami theksoi se, Korniza Kombëtare e Kualifikimeve paraqet një platformë të qartë të ngritjes së standardeve të Arsimit Profesional dhe përputhshmërinë e kësaj platforme kombëtare me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve, në mënyrë që të sigurohet mobiliteti i studentëve tanë në shtetet evropiane.
“Ky proces është shumë i rëndësishëm dhe domosdorshmërisht ngritë standardet e cilësisë së arsimit në Kosovë dhe do të bëjë orientimin e të rinjve tanë drejt arsimit profesional dhe nevojave të tregut të punës”, theksoi ministri Bajrami.
Ministri Bajrami tha se, MAShT e ka mbështetur vazhdimisht procesin e referencimit të KKK-së me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve, si një proces i cili do t’i mundësojë Agjencisë që të bëjë monitorimin dhe vlerësimin e jashtëm të kualitetit dhe cilësisë së Kurrikulave të shkollave të mesme dhe përcaktimin e standardeve të kualifikimeve.
Thomas Noki, përfaqësues i Komisionit Evropian, theksoi se, akreditimi i bartësve verifikon standardet profesionale të arsimit dhe aftësimit. Noki tha se, Korniza Evropiane e Kualifikimeve është referencë për të krahasuar nivelin e kualifikimeve dhe për të promovuar arsimin gjatë gjithë jetës, si dhe për të përshtatur tregun e punës me atë evropian.
Në këtë konferencë të pranishëm ishin edhe z. Arban Abrashi, Ministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe z. Safet Gërxhaliu, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Korniza Kombëtare e Kualifikimeve është hartuar në vitin 2011, e bazuar në kriteret e Kornizës Evropiane të Kualifikimeve.
Last modified: 29 Gusht, 2022