MASHT

U mbajt Konferenca Rajonale me temë “Trupat tonë nuk janë tabu. Perioda”

30 Maj, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në Konferencën rajonale me temë “Trupat tonë nuk janë tabu. Perioda”, të organizuar nga Ambasada e Francës dhe EcoKosWomen.

Kjo Konferencë ka për qëllim të bashkojë Institucionet, autoritetet kombëtare dhe komunale, organizatat ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe sektorin privat, për angazhimin në diskutime në lidhje me higjienën menstruale dhe higjienën menstruale në aspekte të ndryshme që lidhen me arsimin, drejtësinë dhe ekonominë.

Ministrja Nagavci në fjalën e saj të rastit ka thënë se, do të vazhdojnë angazhimin për përmirësimin e sistemit të edukimit, përpjekjet për krijimin e kushteve optimale për të gjitha nxënëset. Tutje tha se, në shkolla edukimi seksual gjithëpërfshirës është pjesë përbërëse e Kornizës së Kurrikulës së Kosovës, ku përgatitja e nxënësve për një jetë të shëndetshme dhe të sigurt parashihet në zhvillimin e gjashtë kompetencave kryesore të nxënies.

Ministrja Nagavci tha se, në arsimin fillor ky edukim realizohet përmes lëndëve të edukatës qytetare, njeriu dhe natyra, edukatë fizike, sporti dhe shëndeti. Ndërsa, në arsimin e mesëm të ulët dhe në arsimin e lartë, fokusi është tek lënda e biologjisë, por trajtohet edhe përmes fushave të tjera.

Në vazhdën e angazhimeve, Nagavci ka bërë të ditur se, MAShTI ka hartuar doracakë enkas për mësimdhënës, po ashtu janë hartuar 3 doracakë ndihmës për nivelet 1-5, 6-9, dhe 10-12, të titulluar “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues”, janë realizuar 12 video për 12 nivelet klasore dhe një broshurë për prindër, është hartuar një doracak për fëmijët me aftësi të kufizuara, gjithashtu ka hartuar një udhëzues të veçantë për higjienën në shkolla, i cili për herë të parë do të përfshijë edhe shpërndarjen e pakove higjienike në shkolla.

Në këtë Konferencë kanë folur edhe Ambasadori i Francës në Republikën e Kosovës, Oliver Guerot, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Drejtoresha e EcoKosWomen, Magbule Hyseni.

Last modified: 30 Maj, 2024