Në kuadër të veprimit të Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë për Arsimin, “Kultivimi i një kulture demokratike në shkollë dhe i diversitetit në shkolla”, me financim të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, u organzua Konferenca për “Prezantimin e komunitetit të mësimnxënies demokratike”.
Ky aktivitet mblodhi mbi 200 përfaqësues të 20 shkollave pilot që janë të angazhuara në projekt, përfshirë ekipet përkatëse të shkollave, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Drejtoritë Arsimore Komunale nga pesë komunat, përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian, si dhe palë të tjera të interesuara.
Konferencën, në emër të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e përshëndeti këshilltari i ministrit Bytyqi, z. Fehmi Hysenaj, i cili theksoi rendësinë që ka bashkëpunimi me donatorët në avancimin e arsimit.
Gjithashtu, ai falënderoi Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, i cili po vazhdon të japë kontribut në sektorin e arsimit dhe theksoi rendësinë që ka sigurimi i qëndrueshmërisë së këtyre projekteve që mbetet akoma një sfidë për institucionet arsimore.
“MAShT, ketë vit ka filluar me zbatimin e kurrikulës, e cila është në përputhje me standardet evropiane dhe mundëson që të rinjtë e Kosovës të përfitojnë kompetenca në të nxënit, të cilat u mundësojnë atyre mobilitet si në vend, ashtu edhe jashtë vendit”, tha Hysenaj, ndërsa i uroi shkollat për pjesëmarrje në projekt dhe e shprehu zotimin e Ministrit të Arsimit për të mbështetur shkollat në rrugën e tyre drejt krijimit të një ambienti gjithëpërfshirës dhe cilësor.
Last modified: 25 Gusht, 2022