Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Muhedin Nushi mori pjesë në Konferencën e organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Grave, në të cilën është përmendur kauza e përbashkët e grave dhe vajzave që kanë kontribuar në ndërtimin e paqes, institucioneve dhe demokracisë së vendit.
Në këtë Konferencë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi se, synimi i Qeverisë për barazi e drejtësi nuk ka alternativë, prandaj është shprehur se janë bashkë në përpjekjet për luftën për barazi. Kryeministri Kurti tha se, do të mbështesin të gjitha projektet zhvillimore dhe ato sociale, për një jetë sa më të mirë dhe barazi gjinore në republikën tonë demokratike.
Këshilltari i lartë politik në MAShTI, Muhedin Nushi në fjalën e rastit tha se barazia gjinore është parim i ngërthyer brenda legjislacionit tonë arsimor në të gjitha nivelet, në veçanti në arsimin e lartë dhe ajo përfshihet si çështje e ndërthurur në çdo politikë dhe program, si në aspektet kuadrovike dhe kurrikulare, ashtu edhe në aktivitetet për ngritjen e kapaciteteve brenda njësive akademike.
Këshilltari Nushi tha se Ministria e Arsimit ka ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e trajtimit të barabartë dhe dinjitoz të grave dhe vajzave, qoftë përmes mbështetjes financiare për studim, qoftë duke vlerësuar arritjet e tyre në shkencë.
Nushi përgëzoi Agjencinë për Barazi Gjinore Edi Gusia, për organizimin e kësaj konference e cila vë në pah rëndësinë e përfshirjes së grave dhe vajzave në arsim dhe në jetën institucionale dhe shoqërore.
U.D. Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore Edi Gusia, ka falënderuar dhe shprehur mirënjohje ndaj gjitha grave dhe vajzave kosovare pa dallim etnie që kontribuuan në ekonominë e vendit, në skemën politike e publike, në administratë, ndërmarrësi dhe në përpjekje të përhershme për ta balancuar jetën profesionale dhe atë private.
Last modified: 8 Mars, 2024