MASHT

U MBAJT KONFERENCA E PESTË E ARSIMIT DHE AFTËSIMIT PROFESIONAL DHE ARSIMIT PËR TË RRITUR

2 Shkurt, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë në Konferencën e pestë të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe Arsimit për të Rritur, e cila këtë vit u mbajt me temën “Cilësi në AAP – Atraktivitet në tregun e punës”.

Me këtë rast, ministrja Nagavci, theksoi rolin vendimtar të sistemit të Arsimit Aftësimit Profesional (AAP) në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të një shteti. Ministrja tha se MASHTI dhe Qeveria e Kosovës janë duke e trajtuar me prioritet AAP-në, ndërsa përmendi një varg iniciativash që janë ndërmarrë dhe po ndërmerren për ta përmirësuar gjendjen.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci përmendi themelimin e Komisionit Ekzekutiv për avancimin e AAP-së në nivel të Kryeministrisë, i cili do të mundësojë një bashkërenditje më të mirë ndërinstitucionale sa i përket sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional.

Po ashtu, ajo theksoi edhe faktin se tashmë ka filluar implementimi i arsimit dual në katër profile, ndërsa përmendi edhe ridefinimin e kritereve për financimin e shkollave profesionale, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Financave.

“Në finalizim e sipër është dokumenti i kornizës kurrikulare të AAP-së, dokument ky i cili ka ngelur i papërfunduar që nga viti 2018. Ky dokument do të jetë udhërrëfyes për strukturimin e kurrikulave që do të ofrohen në shkolla profesionale”, tha ministrja, pasi që përmendi edhe shumë veprime që po ndërmerren me qëllim të avancimit të sistemit të AAP.

Kjo konferencë është organizuar nga Agjencia për Arsim Profesional dhe Arsim për të Rritur, prandaj u.d. drejtoresha e Agjencisë, Fikrije Zymberi, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe partnerët zhvillimorë për kontributin e tyre të vazhdueshëm në avancimin e AAP-së.

Last modified: 2 Shkurt, 2023