Këshilltari i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Fehmi Hysenaj mori pjesë në Konferencën e pestë ndërkombëtare “Auditimi i sigurisë rrugore dhe zvogëlimi i aksidenteve në trafik”, në të cilën u diskutua për rëndësinë e mbikëqyrjes periodike të rrjetit rrugor, në mënyrë që numri i aksidenteve në rrugë të mbahet në minimum.
Fillimisht, Këshilltari i Lartë Politik-Shefi i Kabinetit, Fehmi Hysenaj përshëndeti të pranishmit edhe në emër të ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi dhe përgëzoi organizatorët: Kolegjin Tempulli dhe Asociacionin Kosovar të Motorizimit për këtë konferencë ndërkombëtare, cila mëton të jetë tradicionale.
Z. Hysenaj në fokus vuri çështjen e nevojës për rritjen e bashkëpunimit të akterëve të kësaj lëmie si: Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Punëve të Brendshme, MASHT dhe Policia e Kosovës, ku në mbështetje të këtij bashkëpunimi të ngritën grupe punuese ndërministrore, me qëllim të sensibilizimit të opinionit për rolin e sigurisë rrugore në përgjithësi, për t’i kontribuar zvogëlimit të aksidenteve në trafik. Po ashtu, u përmend roli i shoqërisë civile dhe mediave që padyshim është i madh.
“MASHT në kuadër të prioriteteve të saj ka avancimin e praktikës profesionale për drejtimet specifike dhe po ashtu ka gatishmërinë të përgatisë planprogramet për profesione më specifike të kësaj natyre. Pjesëmarrja e shteteve nga rajoni dhe Evropa i jep tjetër dimension kësaj ngjarjeje dhe uroj që kjo konferencë t’i arrijë të gjitha objektivat e parapara”, është shprehur këshilltari Hysenaj.
Konferenca “Auditimi i sigurisë rrugore dhe zvogëlimi i aksidenteve në trafik” është organizuar nga Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, Instituti i Sigurisë Rrugore dhe Hulumtimeve në Transport dhe Asociacioni Kosovar i Motorizmit “AMRKS”, me përkrahje nga partnerët e Forumit të Kosovës për Siguri në Rrugë.
Last modified: 24 Gusht, 2022