Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në hapjen e Festivalit të shkathtësive digjitale në Prizren me temë “Edukimi & fuqizimi drejt konceptit të trancizionit binjak”, ku roli i këtij festivali është të frymëzojë, të edukojë dhe të ndihmojë në ndërtimin e një shoqërie më të informuar dhe të përgatitur për sfidat e ardhshme digjitale.
Ministrja Nagavci me këtë rast ka bërë të ditur se, tema e festivalit të këtij viti është në linjë të plotë me objektivat e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, për mbështetjen e pakursyer të tranzicioneve të shumëfishta që po kalon Kosova, në hap me ndryshimet e shpejta në tërë botën.
Ministrja Nagavci theksoi se, kjo iiniciativë është rezultat i një bashkëpunimi me bazë të gjerë, ku përfshihen 11 universitete publike dhe private të vendit, dhe realizohet me mbështetjen e disa donatorëve.
Nagavci tutje tha se, në Strategjinë e Arsimit 2022-2026, digjitalizimi i arsimit është një nga 5 objektivat strategjike, që synon përdorimin e teknologjisë digjitale për përmirësimin e shërbimeve dhe cilësisë në arsim.
Ndër të tjera, Nagavci bëri të ditur se, Qeveria e Kosovës dhe MAShTI po avancojnë trancizionin binjak duke ndërmarrë hapa konkretë, së bashku me ministritë e linjës dhe organizatat ndërkombëtare, me pikësynimin për përmirësimin e performancës së nxënësve dhe për të ardhmen e tyre.
Për rëndësinë e këtij Festivali kanë folur edhe Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, udhëheqësi i Qendrës për Transformimin Dixhital në ITP Prizren, Simon Floeth.





Last modified: 27 Maj, 2024