MASHT

U MBAJT CEREMONIA E DHËNIES SË BETIMIT TË 17 VULLNETARËVE TË KORPUSIT TË PAQES

23 Nëntor, 2022

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, mori pjesë në ceremoninë e shtatë me radhë të Dhënies së Betimit të 17 vullnetarëve të Korpusit të Paqes, të cilët kanë ardhur për të shërbyer në Kosovë dhe tashmë janë njohur me kulturën shqiptare dhe atë serbe dhe të njëjtit mund të shkruajnë dhe komunikojnë të dy gjuhët.

Vullnetarët që do të përfshihen në dy programe do të angazhohen si mësimdhënës të gjuhës angleze në shkollat fillore dhe të mesme publike, kryesisht në zona rurale, ndërsa do të jenë të angazhuar edhe në aktivitete jashtëkurrikulare.

Në ceremoni e pranishme ishte edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila tha se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë vlera të përbashkëta, ndërsa shprehu falënderimet e saj për vullnetarët të cilët sot bënë betimin për t’u shërbyer komuniteteve në Kosovë.

Zëvendësministri Pupovci me këtë rast tha se ndjehet i lumtur që Kosova është pjesë e bashkëpunimit me Korpusin e Paqes, bashkëpunim i cili patjetër se do të vazhdojë për shkak të misionit për ofrim të mbështetjes në ngritje të kapaciteteve edukative dhe ofrimit të vlerave të mirëfillta për nxënësit dhe shkollat tona.

Pupovci theksoi se, puna e vullnetarëve të Korpusit të Paqes është e jashtëzakonisht, pasi ajo do të ndikojnë tek mësimdhënësit që t’i përmirësojnë praktikat e tyre, ndërsa nxënësit do të kenë mundësinë ta mësojnë gjuhën angleze nga folës që e kanë gjuhë amëtare.

Ndër të tjera, zëvendësministri tha se, vullnetarët e rinj do të befasohen për të mirë me mikpritjen nga shkollat në të cilat do të punojnë dhe komuniteti të cilit do t’i shërbejnë, jo vetëm sepse mikpritjen e kemi traditë, por edhe më shumë sepse populli ynë krenohet me partneritetin dhe miqësinë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai falënderoi Ambasadorin Hovenier për punën e palodhur dhe përkushtimin e madh, drejtoreshën e Përgjithshme, znj. Siganda, si dhe stafin jashtëzakonisht profesional të Korpusit të Paqes këtu në Kosovë.

Për rëndësinë e programeve folën edhe drejtoresha e përgjithshme e Korpusit të Paqes në Kosovë, Carolyne Siganda dhe zëvendësshefja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alyson Grunder të cilat thanë se e veçanta e këtyre programeve është shkëmbimi i përvojave mes komunitetit amerikan dhe komuniteteve në Kosovë.

Last modified: 23 Nëntor, 2022