Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në Akademinë Përkujtimore për akademik Minir Dushi, që u mbajt në Universitetin “Isa Boletini”, në Mitrovicë.
Ministrja Arbërie Nagavci shprehu mirënjohjen dhe respektin më të madh për jetën dhe veprën e jashtëzakonshme të akademik Dushit, duke theksuar se ai do të mbetet një emër i paharrueshëm në historinë e arsimit dhe shkencës shqiptare.

Ministrja Nagavci theksoi se si inxhinieri i parë shqiptar në Trepçë dhe një nga themeluesit e institucioneve më prestigjioze akademike në vend, ai u shqua për profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të palëkundur ndaj zhvillimit të shkencës dhe arsimit. Ajo tha se me mbi 180 njësi bibliografike dhe kontribute të shumta shkencore, vepra e tij mbetet një pasuri e çmuar për brezat e ardhshëm.

Ndër të tjera, Nagavci theksoi se, gjatë karrierës së tij, akademik Dushi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shkencave gjeologjike dhe minierave, duke formuar gjenerata të tëra profesionistësh dhe studiuesish. Po ashtu, ai ishte një nga anëtarët e parë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke lënë një trashëgimi të vyer për botën akademike dhe shkencore.
Ndërsa, rektorja e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Nurten Deva theksoi se akademik Dushi ka lënë pas një trashëgimi të çmuar për gjeneratat e reja dhe se librat dhe kontributi i tij vazhdojnë të jenë burim frymëzimi dhe dije për studentët, minatorët, profesorët, miqtë, shokët dhe kolegët e tij.


Last modified: 26 Shkurt, 2025