Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Heras Plus dhe Researchcult lansuan Platformën e Sistemit Informativ të Kosovës për Kërkime Shkencore KRIS.
KRIS (KosovaResearch Information system) apo Sistemi Informativ i Kosovës për Kërkime Shkencore synon të shërbejë si një platformë për mbledhjen dhe ruajtjen e të dhënave për kërkime shkencore, por edhe si një mekanizëm rregullator në ofrimin e informacionit më të standardizuar në hulumtim.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me këtë rast ka theksuar se, Platforma KRIS është sukses i përbashkët i Ministrisë bashkë me donatorët: Agjencioni Austriak për Zhvillim dhe Komisioni Evropian, të cilët janë bashkuar në këtë iniciativë të rëndësishme të ecjes përpara në fushën e kërkimit dhe inovacionit.
Nagavci tha se, KRIS ka shënuar hap të rëndësishëm në punën e institucioneve të kërkimit shkencor, por edhe institucioneve politikëbërëse sepse me këtë platformë do të mundësohen lidhjet e nevojshme ndërmjet arsimit, kërkimit dhe inovacionit.
Ministrja Nagavci bëri të ditur se, ky sistem përfshin disa module të cilat do të përfshijnë informacione në lidhje me: studiuesit, institucionet, infrastrukturën kërkimore, projektet, botimet shkencore, listat e revistave shkencore kombëtare dhe statistika të ndryshme.
Ndër të tjera, Nagavci foli edhe për politikat qeveritare për avancimin në shkencë e inovacion dhe përmisimin e cilësisë së Arsimit të Lartë.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger u shpreh i kënaqur që lansimi i kësaj platforme është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë ndër vite i Kosovës dhe Austrisë. Ai vlerësoi se KRIS do të jetë vlerë e shtuar në Kosovë sepse mundëson mbledhjen sistematike të të dhënave shkencore, përpunimin dhe përdorimin e tyre.
Përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Kosovë, Johanes Madsen vlerësoi se kjo platformë synon të zhvillojë kapacitetet njerëzore dhe infrastrukturën kërkimore shkencore në Kosovë, e cila do të rrisë pjesëmarrjen e e kërkuesve nga Kosova në projekte të ndryshme shkencore.
Ndryshe, KRIS ofron mundësinë e gjenerimit të rezultateve të të dhënave kërkimore për MAShTI-n, hulumtuesit, studentët, politikëbërësit dhe grupe të tjera të interesit si: Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Akreditim.
Last modified: 27 Prill, 2023