MASHT

U bë Lansimi i Pilotimit të Programit të Kuponëve

23 Dhjetor, 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci kanë bërë lansimin e pilotimit të programit të kuponëve, në kuadër të projektit të Bankës Botërore “Edukimi dhe Kujdesi në Fëmijërinë e Hershme për Kapitalin Njerëzor në Kosovë”.

Qëllimi i Programit të Kuponëve është të mbështesë pjesëmarrjen e fëmijëve në edukimin e hershëm, duke siguruar zhvillim kognitiv, social, emocional dhe fizik, si dhe përmirësimi i aftësive të tyre për zgjidhjen e problemeve.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e këtij projekti të madh i cili synon të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejt për familjet që janë të regjistruar në skemën e ndihmës sociale, duke krijuar mundësi për përfshirjen e më shumë fëmijëve të moshës nga 3-5 vjeç në shërbime të edukimit të hershëm.

Kryeministri Kurti përmendi familjet përfituese të programit, që do të kenë mundësi të dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe të licencuara, ku programi do të mbulojë pagesën për çerdhe dhe transportin. Programi financohet nga partneriteti i mësimit të hershëm të Bankës Botërore me shumën prej 1.8 milion euro, bazuar në marrëveshjen e grantit të nënshkruar nga Republika e Kosovës dhe Banka Botërore.

Kurti më tej tha se, ky proces është drejtpërdrejt i lidhur me prioritetet tona strategjike dhe me politikat relevante të ndërmarra gjatë këtij mandati të qeverisjes, teksa shtoi se me miratimin e ligjit për fëmijërinë e hershme në Kuvend në korrik të vitit të kaluar, me hartimin e kurrikulës së re për edukimin në fëmijërinë e hershme dhe pilotimin e saj, tani po dëshmohet se veprat flasin më shumë se fjalët.

Ministrja Nagavci theksoi se prioritet i ynë që nga marrja e mandatit, ka qenë përmirësimi i infrastrukturës ligjore dhe fizike, rritja e përfshirjes së fëmijëve në edukimin në fëmijërinë e hershëm, si dhe avancimi dhe përmirësimi i shërbimeve në këtë nivel. Ajo vlerësoi rëndësinë e këtyre masave për të përmirësuar cilësinë e arsimit në vend.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci tha se, para tre muajve në partneritet me Bankën Botërore, u lansua plani për shtrirjen e programit të kuponëve si një nën komponent e këtij programi, ndërsa sot po bëhet lansimi i pilotimit të programit të kuponëve, duke hedhur hapin e parë konkret për këtë mbështetje për herë të parë për të vegjlit tanë.

Ndërsa, zv/Drejtoresha e Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Jane Millicent Sprouster theksoi rëndësinë e rritjes së përfshirjes së fëmijëve në arsimin parashkollor. Ajo përmendi se në vitin 2023, vetëm 2.3% e fëmijëve të moshave 3-5 vjeç në skemën e asistencës sociale kanë qenë të përfshirë në institucionet e arsimit parashkollor. Synimi i këtij programi është që deri në vitin 2027 të katërfishohet ky numër, duke mundësuar gjithashtu që institucionet private të marrin pjesë në ofrimin e shërbimeve të kujdesit ndaj fëmijëve.

Last modified: 23 Dhjetor, 2024