Me pikëllim të thellë e morëm lajmin se ka ndërruar jetë akademik Minir Dushi i cili ishte inxhinieri i parë shqiptar dhe figurë e shquar në fushën e mineraleve. Ai la një trashëgimi të vyer në zhvillimin e industrisë dhe shkencës.
Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK)që nga themelimi i saj. Akademik Minir Dushi ishte drejtues i disa institucioneve mësimore dhe shkencore të Kosovës, si Shkolla e Lartë Teknike në Mitrovicë (1961-1966), Instituti i Plumbit dhe i Zinkut i Kombinatit “Trepça” (1966-1973), Fakulteti i Xehetarisë dhe i Metalurgjisë në Prishtinë (1970) e më vonë në Mitrovicë (1975-1979).
Në vitin 1969 u zgjodh profesor inordinar i Fakultetit Teknik të Prishtinës, ndërsa në vitin 1975 profesor ordinar i Fakultetit Xehtaro-Metalurgjik në Mitrovicë, ku ushtroi detyrën e dekanit për dy mandate. Në vitin 1970 u zgjodh zëvendësrektor i parë në Universitetin e Prishtinës kurse në vitin 1981 u bë rektor i këtij universiteti. Akademik Dushi u nderua me një sërë çmimesh, dekoratash dhe mirënjohjesh.
Në emër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit u shpreh ngushëllime familjes së akademik Minir Dushi, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Universitetit të Prishtinës, miqve dhe bashkëpunëtorëve.
Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit
Last modified: 28 Janar, 2025