MASHT

Italia do të mbështesë edhe më tutje proceset arsimore në Kosovë

16 Korrik, 2010

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, gjatë dy ditëve të fundit, është duke qëndruar në regjionin e Lombadrisë të Republikës së Italisë, i shoqëruar nga Këshilli Shkencor i Institutit Pedagogjik të Kosovës dhe disa profesorë të Universitetit të Prishtinës.

Gjatë kësaj vizite, ministri Hoxhaj është takuar me Guideppe Colosio, drejtor për arsim parauniversitar në rajonin e Lombadrisë si dhe me zonjën Marina Lazzati, drejtoreshë e Departamentit të Shkollave Fillore dhe të mesme në provincën e Milanos.

Në këto takime me të dy përfaqësuesit e këtyre institucioneve, është biseduar rreth bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe kësaj pjese të Republikës së Italisë, me fokus të veçantë binjakëzimin e shkollave, reformën e kurrikulit, si dhe shkëmbimin ndërmjet institucioneve parauniversitare të dy vendeve.

Po ashtu, fokus i këtij bashkëpunimi, do të jetë ngritja profesionale hulumtuese dhe shkencore e Institutit Pedagogjik të Kosovës, i cili për sistemin tonë arsimor dhe për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka një rol të veçantë në procesin e reformave të monitorimit dhe vlerësimit të tij.

Ky Institut, që nga themelimi i tij, kishte një mbështetje të fuqishme të CESES, një organizatë italiane, e cila ka kontribuar fuqishëm për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës.

Gjatë kësaj vizite, në mbështetje të CESES dhe ekspertëve italianë, Këshilli Shkencor i Institutit Pedagogjik të Kosovës, ka punuar intenzivisht në përcaktimin e misionit, rolit dhe përgjegjësive që do të ketë Institutit Pedagogjik i Kosovës në sistemin tonë arsimor.

Po ashtu, gjatë kësaj vizite, ministri Hoxhaj ka takuar drejtorin e Bibliotekës “Ambrosiana” të Milanos, Monsigno Buzzi, ku është biseduar që në një të ardhme të afërt, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Republikës së Kosovës dhe Biblioteka “Ambrosiana”, e cila llogaritet si ndër bibliotekat më të vjetra dhe për kah fondi i librave më e pasura në botë, do të nënshkruajnë marrëveshje të bashkëpunimit mes dy institucioneve arsimore, kulturore dhe shkencore.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.