MASHT

SQARIM PËR OPINIONIN PUBLIK LIDHUR ME DYSHIMET E NGRITURA RRETH PROCESIT PËR TEKSTET E REJA SHKOLLORE

14 Mars, 2019

14 Mars 2019

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), është në fazën e vlerësimit të dorëshkrimeve për tekstet e reja shkollore për klasat, 0,1,6,10, proces ky i rëndësisë së veçantë për zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së arsimit parauniversitar. Të vetëdijshëm për rëndësinë dhe kompleksitetin dhe problemet që mund të dalin gjatë këtij procesi, MAShT ka marrë të gjitha masat profesionale dhe logjistike që procesi të shkojë sa më mirë dhe mbarë.

Duke pasur parasysh këto dhe kërkesën që MAShT ka bërë në vazhdimësi që në këtë proces ta ndihmojnë të gjithë akterët, e në veçanti edhe mediet, në kohën e fundit gazeta e përditshme Koha Ditore ka bërë disa shkrime ku asnjë shkrim nuk ka pasur ndonjë element në frymën e këtij procesi, por ka provuar dhe potencuar, sipas tyre, problemet dhe pikat e zeza që e kanë përcjellë këtë proces, duke dhënë shembuj që kryesisht janë thashetheme të dëgjuara të individëve deri te kostoja, duke dhënë shifra që nuk përkojnë me realitetin për këtë proces.

Gazeta ka shkuar aq larg sa që, MAShT-it, i ka drejtuar tri pyetje, të cilat nuk përkojnë me realitetin dhe për opinionin shfaqin dyshime, apo japin për të kuptuar që ky proces është i dështuar dhe shkojnë aq larg dhe pyesin ministrin se pse nuk është anuluar ky proces.

MAShT (Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore-KEPTSH), organ mbikqyrës i këtij procesi, bazuar në planin dinamik që ka,  është duke e përcjellë këtë proces me kujdesin më të madh dhe të gjitha dukuritë që dalin gjatë procesit që cënojnë kualitetin dhe ligjshmërinë e këtij procesi do të ndërmarrë masa adekuate për evitimin, përmirësimin dhe ndëshkimin e atyre që eventualisht e kanë cenuar procesin.

Ministri në kontinuitet njoftohet për procesin për punët e mira dhe problemet që e përcjellin procesin dhe do të ndërmerr të gjitha masat për evitimin e cdo problemi që del gjatë këtij rrugëtimi të procesit të teksteve shkollore

Ky proces është i kushtueshëm edhe në pikëpamjen financiare dhe KEPTSH po bën të gjitha ato që është e mundur që edhe në këtë aspekt të jemi tejet të kujdesshëm.

Gazeta “Koha Ditore” thirret në shifrat, të cilat nuk qëndrojnë për numrin e pjesëmarrësve në punëtori. Për shëmbull, kjo gazetë thekson se në punëtori ishin 200 pjesëmarrës (recenzentë), përderisa në atë punëtori ishin vetëm 103 pjesëmarrës. Këta recenzentë nuk kanë qëndruar tërë kohën në këtë punëtori, në momentin që kanë përfunduar recenzimin e dorëshkrimeve, në mënyrë të organizuar janë kthyer për në Prishtinë.

Kjo punëtori që është organizuar në modelin KAMPUS,  me vete ka përfshirë pansionin e plotë për individ, pauza për kafe, sallat për punë, zërimi, e çdo gjë tjetër që është për ta ndihmuar për këtë proces, recenzentët e kanë pasur në dispoziocion.

Hoteli ka qenë i rezervuar vetëm për këtë punëtori dhe gjatë këtij procesi nuk ka qenë as edhe një mysafir, për shkak të sigurisë dhe ndjeshmërisë së madhe të procesit.

Shifrat që janë dhënë për numrin e pjesmarrësve apo për koston nuk qëndrojnë, sepse aty ku ceket se MAShT ka paguar 60 mijë euro, në realitet e gjithë kjo ka kushtuar sa gjysma e kësaj shifre. Sipas Kohës Ditore, akomodimin MAShT e paguan trefish më shumë se të tjerët, gjë që nuk qëndron.

Për shkak të rëndësisë dhe ndjeshmërisë së procesit, sigurisë, dhe mbikëqyrjes, dhe bashkëpunimit të ngushtë që e kemi me Institutin e Zhvillimit të Arsimit të Shqipërisë-IZHA për ndihmën profesionale që na ka dhënë për përgatitjen e dokumenteve për këtë proces, nga përvojat e mira që ka pasur Shqipëria për organizimin e kësaj forme për zhvillimin e këtij procesi, MAShT e ka pasur të domosdoshme organizimin e kësaj punëtorie në Shqipëri. Atëherë, është parë më e udhës organizimi i kësaj punëtorie të formës Kampus.

Gazeta potencon se recenzentët kanë shkuar njëherë grupi ma i madh në Shqipëri, pastaj  një grup më i vogël në Emerald. Duke pasur parasysh ato që thamë më lartë, do të jemi të detyruar deri në finalizim të punojmë herë në MAShT, herë në Kosovë, e herë në Shqipëri, varësisht se çka është në pyetje në të mirën e këtij procesi.

Në fund, recenzentët dhe të gjithë akterët që janë në këtë proces kanë nënshkruar një deklartë nën betim se cilido që i then parimet e kësaj deklarate do të përgjigjet para ligjit.

Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjithë atyre që ia dëshirojnë të mirën këtij procesi kaq të rëndësishëm, të na kritikojnë, të na sygjerojnë, të na ndihmojnë në këtë proces. Kjo vlen edhe për gazetën Koha Ditore që shpesh na ka ndihmuar për të reflektuar për dobësitë, në përgjithësi në arsim, e në veçanti për tekstet shkollore dhe pikërisht për këtë MAShT-KEPTSH me kujdesin më të madh dhe me përpjekje maksimale është duke bërë përpjekje që ky proces të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Last modified: 10 Nëntor, 2022