MASHT

Sqarim

3 Korrik, 2024


 
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me qëllim të informimit të saktë të publikut, në lidhje me rënien e numrit të maturantëve në Kosovë ndër vite, përkatësisht vitin 2014 dhe 2024, sqaron se, nga të dhënat në SMIA në vitin 2014 në sistem janë të regjistruar 27.544 nxënës në klasën e 12, kurse në vitin 2024 janë 20.725, e që këto të dhëna paraqesin diferencën e saktë brenda periudhës së lartëcekur.
 
Sa i përket krahasimit ndërmjet numrit të nxënësve që kanë hyrë në test në vitin 2014, MAShTI njofton se, përveç maturantëve të klasave të 12-ta, Testit të Maturës në vitin 2014, i janë nënshtruar edhe maturantët e klasave të 13-ta, pasi viti shkollor 2013/2014 ka qenë viti i fundit që në sistemin arsimor të Kosovës ka ekzistuar edhe klasa e 13-të. 
 
MAShTI po ashtu rikujton se, deri më 2016 nxënësit nuk kanë marrë diplomën pa e kaluar Provimin e Maturës, andaj edhe interesimi i nxënësve që nuk arrinin të kalonin testin ka qenë dukshëm me i madh për të hyrë në vitin vijues, duke bërë që numri i maturantëve të cilët i janë nënshtruar testit të jetë më i madh.
 
Pas ndryshimit të Ligjit për Provimin e Maturës Shtetërore në vitin 2016, sipas të cilit nxënësit pas mbarimit të shkollimit të mesëm të lartë pajisen me diplomë, kurse me kalimin e Provimit të Maturës marrin certifikatën e maturës, interesimi i disa nxënësve, sidomos atyre të arsimit profesional për t’iu nënshtruar testimit ka rënë.
 
Këtë vit shkollor numri i nxënësve të cilët kanë përfunduar shkollimin e mesëm të lartë është më i lartë sesa numri i nxënësve të cilët kanë hyrë në provim, ndërsa diferenca brenda periudhës dhjetëvjeçare është edhe për shkak të rënies së numrit të nxënësve në përgjithësi.

Last modified: 3 Korrik, 2024