Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, në një konferencë për media, ka bërë të ditur vendimin e tij për fillimin e procesit të validimit të kualifikimeve dhe akreditimit institucional të institucioneve të arsimit dhe aftësimit profesional (shkollave profesionale publike).
Për herë të parë, duke u bazuar në këtë vendim, do t’ju mundësohet shkollave publike profesionale që të njihen nga Korniza Evropiane e Kualifikimeve dhe kandidatëve që fitojnë këto diploma iu mundësohet mobilitet në tregun evropian.
Ministri Bajrami theksoi se faktin se arsimi profesional është shpallë si një prioritet kombëtar, i cili do të mund të sigurojë punësim dhe do të mund të plasojë nxënës në tregun e punës me kompetenca dhe shkathtësi.
“Ky vendim nënkupton që të gjitha shkollat profesionale, ku janë përfunduar standardet e profesionit, tani e tutje do të validohen dhe akreditohen. Është ky hap shumë i rëndësishëm, sepse të rinjtë tanë, nesër do të dalin në tregun evropian të punës me kualifikime të pranuara”, tha Ministri.
Ministri Bajrami theksoi se ky proces i rëndësishëm do të ketë tri rezultate pozitive. “E para: do të shtyjë shkollat profesionale për të shkuar drejt profileve për të cilat ka treg të punës; e dyta: do ta ngrisë dukshëm cilësinë dhe do të prodhojë specialistë me kompetenca dhe shkathtësi të standardizuara dhe evropiane; e treta: do të na krijojë një pasqyrë neve si Ministri sa i përket cilësisë dhe kjo është ajo që na duhet në përpjekjet tona për ngritjen e cilësisë”, tha ministri Bajrami dhe theksoi se ky hap do t’i gëzojë shumë edhe bizneset.
Ndërsa, drejtorja e Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, znj. Teuta Danuza foli për rëndësinë dhe peshën që ka në arsimin profesional vendimi për fillimin e validimit dhe akreditimit të shkollave profesionale publike. “Jemi të gatshëm që brenda afatit ligjor të përcaktuar me vendim, si dhe afateve tjera ligjore të përcaktuara nga kriteret dhe standardet e Kornizës të realizojmë dhe implementojmë procesin e validimit dhe akreditrimit të programeve”.
Ky proces do të fillojë me Qendrat e Kompetencës dhe shkollat ku janë përfunduar standardet e profesionit, për të vazhduar më pas me të gjitha shkollat tjera profesionale në Kosovë, në pajtim me mundësitë buxhetore dhe planifikimet kohore dhe sipas rekomandimeve të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.