MASHT

SHKOLLA PROFESIONALE “MEHMET ISAI” NË GJILAN PRANON PAJISJE PËR DISA PROFILE

26 Maj, 2023

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të laboratorëve në shkollën e mesme profesionale “Mehmet Isai” në Gjilan.

Përurimi i punëtorive të profileve: Metalpunues, Instalues elektrik, Teknik i izolimit të ndërtesave dhe NVK nga LuxDev, në kuadër të fazës së dytë të projektit “Mbështetja për reformën e AAP-së” do të ndihmojnë nxënësit që të arrijnë shkathtësitë e nevojshme për tregun e punës.

Zëvendësministrja Maloku Bërdyna me këtë rast ka thënë se, Arsimi dhe Aftësimi Profesional është prioritet i Qeverisë sepse kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

Ajo tha se në kuadër të angazhimit është edhe përafrimi i Arsimit dhe Aftësimit Profesional me tregun e punës, prandaj është kënaqësi kur përurojmë iniciativa të tilla që e mbështesin fuqizimin e kësaj ndërlidhjeje dhe këtij sektori.

Ndër të tjera, zëvëndësministrja falënderoi donatorët e këtij projekti për kontributin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, ndërsa nxënësit, mësimdhënësit, menaxhmentin e shkollës dhe komunën e Gjilanit i uroi për inauguruimin e punëtorive.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe përfaqësuesit e LuxDev gjithashtu vlerësuan se konkretizimi i mësimit përmes pajisjeve të pranuara ndihmon në përgatitjen e nxënësve me shkathtësi të nevojshme për tregun e punës.

Last modified: 26 Maj, 2023