Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down, me moton “Me ne, jo për ne”, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu vizituan Qendrën e Down Syndrome në Prishtinë, ku u takuan me fëmijët të cilët janë të sistemuar aty dhe panë nga afër punën e cila bëhet në këtë Qendër.
Ministret Nagavci dhe Haxhiu gjatë ditës vizituan edhe Gjilanin dhe morën pjesë në ekspozitën e nxënësve, e cila është organizuar nga kjo komunë.
Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast ka thënë se, duhet të reflektojmë të gjithë si shoqëri në çdo ditë të vitit, duke ofruar më shumë mbështetje, dashuri dhe përkrahje për ata të cilët na falin emocione dhe ndjenja të papërshkrueshme.
Ministrja Nagavci ka thënë se, MAShTI është e përkushtuar për ofrimin e mundësive dhe garantimin e të drejtës për arsimim për fëmijët me sindromë Down, bashkë me ndihmën e mësuesve tanë të kualifikuar.
Nagavci tha se ndjehet e kënaqur që mori pjesë në këtë ekspozitë të veçantë, e cila i dedikohet shënimit të kësaj dite dhe këtyre fëmijëve të cilët e zbukurojnë shoqërinë dhe na falin emocione pafund.
Last modified: 23 Mars, 2023