Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në lansimin e fushatës “Të gëzohemi me fëmijë”, në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë, me temën “Fuqizimi i vajzave përmes edukimit: Eliminimi i fenomenit të abortit selektiv”, organizuar nga UNFPA dhe IPKO Foundation.
Ministrja Nagavci me këtë rast tha se, mënyra më e mirë për të luftuar pabarazitë gjinore është përmes edukimit dhe arsimit, sepse ofrimi i mbështetjes së duhur për vajzat sot, i siguron shoqërisë gra të forta nesër.
Ministrja Nagavci gjithashtu theksoi se, sa i përket veprimeve institucionale për të garantuar këto të drejta, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit në vazhdimësi u përmbahen parimeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në përgjithësi, dhe të drejtave të vajzave e grave në veçanti.
“Që nga marrja e mandatit kemi ofruar dhe vazhdojmë të ofrojmë mbështetje të shtuar për vajzat në shkollë dhe gjatë studimeve të tyre. Konkretisht, dje hapëm javën për promovimin e shëndetit, me fokus tek edukimi seksual në shkolla, e me vëmendje të veçantë tek vajzat”, u shpreh Nagavci.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci foli edhe për politikat arsimore në mbështetje të vajzave të reja që studiojnë në fusha tradicionalisht të dominuara nga djemtë dhe ndarjen e bursave, politikë e cila ka ndikuar në rritjen e pjesëmarrjes së vajzave në Universitetin e Prishtinës në këto drejtime, në masën 50%, kur në vendet e Bashkimit Evropian është vetëm 17%.
Duke folur për sfidat në të cilat hasin vajzat, ministrja Nagavci përmendi, pamundësinë e përfundimit të shkollimit bazik, qasjen e mangët në teknologji bashkëkohore, ndryshe nga djemtë, përjetimin e dhunës fizike ose seksuale nga një partner së paku një herë në jetë, etj.
Për rëndësinë e eliminimit të pabarazisë në mes të vajzave dhe djemve përmes edukimit dhe ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë folën edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Arnhild Spence, shefja e Zyrës së UNFPS-së në Kosovë, Visare Mujko Nimani dhe drejtoresha e IPKO Foundation, Abetare Gojani.
Last modified: 11 Tetor, 2023