MASHT

Rritet kuota për kandidatët nga Lugina e Preshevës që duan të studiojnë në UP

17 Gusht, 2010

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, ka pritur sot kryetarin e Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, me të cilin ka biseduar për shumë çështje që kanë të bëjnë me arsimimin e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, me theks të veçantë për rritjen e kuotës për kandidatët nga këto komuna që dëshirojnë të studiojnë në Universitetin e Prishtinës.

“Ne si Republikë e Kosovës e kemi obligim moral, shtetëror dhe është obligim evropian që t’i përmbushim të gjitha kërkesat që i kanë shqiptarët e Luginës së Preshevës për qasje të barabartë në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë”, tha ministri Hoxhaj pas takimit, ndërsa bëri të ditur se gjatë këtij viti shkollor, Republika e Kosovës do t’i sigurojë 800 abetare falas për nxënësit e klasës së parë në Luginën e Preshevës, sikur që ka bërë edhe vitin e kaluar.

Ministri Hoxhaj theksoi se kryetari Mustafa kishte po ashtu një kërkesë që të rritet numri i të pranuarve në Universitetin e Prishtinës për kandidatët nga Lugina e Preshevës. “Kuota, të cilën ne e kemi siguruar, do të rritet edhe për 88 kandidatë të rinj, të cilët do të regjistrohen në drejtime të caktuara në Universitet”, ha ministri Hoxhaj.

Qëllimi jonë, tha ai, është që karshi të gjitha kërkesave që ka kryetari i Komunës së Preshevës, që kanë shqiptarët në Luginën e Preshevës, të reagojmë si shtet dhe të ju sigurojmë nxënësve qasje të barabartë në sistemin tonë arsimor dhe t’i ndihmojmë këta që të kenë po ashtu një qasje të barabartë në shkollat fillore dhe në shkollat e mesme të Luginës së Preshevës .

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, theksoi se problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë të shprehura para se gjithash edhe në sferën e arsimit. “Fatmirësisht, gjatë këtyre dy viteve kemi gjetur një gjuhë të përbashkët, një pritje shumë të mirë nga ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, por edhe vet kryeministri Hashim Thaçi, të cilët kanë shprehur një gatishmëri për shqiptarët e Luginës së Preshevës për unifikimin e arsimit me të gjitha trojet tjera shqiptare”, tha Mustafa.

Ai përmendi faktin se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë universitete, madje as një fakultet në gjuhën shqipe, “prandaj, adresa jonë është Ministria dhe universitetet në Republikën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë”.

Last modified: 26 Gusht, 2022