Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), sot ka organizuar Provimin e Maturës Shtetërore 2016 (pjesa e dytë), për rreth 32 mijë maturantë sa ka këtë vit Kosova.
Për të parë nga afër se si po ecën ky proces i rëndësishëm, ministri i Arsimit, z. Arsim Bajrami ka vizituar nxënësit që po testohen në qendrën e testimit në Gjimnazin e Shkencave Shoqërore “Sami Frashëri” në Prishtinë.
Me këtë rast, ministri Bajrami është shprehur se janë marrë të gjitha masat që Matura Shtetërore (pjesa e dytë), të jetë e suksesshme, të administrohet me sukses. “MAShT ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme duke përgatitur drejtorët e qendrave, administruesit, dhe urojmë që kjo pjesë e dytë të përfundojë me sukes dhe definitivisht të jetë ndër Maturat më të mira që kemi organizuar viteve të fundit”.
Ministri Bajrami theksoi se Matura tregon edhe pjekurinë e sistemit arsimor në Kosovë, por tha se edhe për vendet me traditë më të gjatë është sfiduese, sidomos në kohën e internetit, të teknologjisë informative, gjithmonë do të gjinden disa që do të tentojnë të manipulojnë me nxënës.
“Ne kemi nevojë për një pasqyrë reale të Maturës. Cilido rezultat që del në Maturë nuk do të fajsojmë nxënësit, por do të jetë një tregues i sistemit tonë arsimor se çfarë ne duhet të ndryshojmë”, tha ministri Bajrami, ndërsa përsëriti edhe një herë se edhe kësaj radhe do të ketë masa ndëshkuese për të gjithë ata administrues, të cilët nuk e kryejnë detyrën sipas udhëzimeve dhe kontratës.
“Ju e keni përcjellë se si ka vepruar Ministria. Kemi dalë me emra e mbiemra dhe kemi larguar disa mësimdhënës administrues. Policia po ashtu ka filluar disa raste penale. Uroj që të ketë sa më pak raste dhe uroj që mbi bazën e dy-tri përpjekjeve të dështuara të mos krijoni një gjykim për Maturën”, iu ka thënë mediave ministri Bajrami.
Ministri uroi të gjithë maturantët që të përfundojnë me sukses testin dhe të fillojnë të përgatiten për arsimin e lartë. “Ne duhet të jemi të gjithë të përgjegjshëm që vërtetë këtë proces të vlerësimit kombetar ta kryejmë me sukses dhe me standarde”, tha ai.
Për mbarëvajtjen e procesit të pjesës së dytë (afati i qershorit) të Provimit të Maturës Shtetërore, janë angazhuar mbi 1800 administrues, mbi 300 mbikëqyrës, si dhe 252 kryetarë të Qendrave të Testimit. Pjesa e dytë e tetit përmbanë 100 pyetje nga lëndët profesionale.
Last modified: 29 Gusht, 2022