MASHT

Rreth 30 mijë nxënës të klasave të IX- ta i’ u nënshktruan Testit të Arritshmërisë

21 Maj, 2016

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë sot në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës ka organizuar Testin e Arritshmërisë për klasat e IX- ta, test ky i cili do të jetë përcaktues në përzgjedhjen e drejtimeve në shkollimin e mesëm.

Zëvendësministria e Arsimit, znj. Anila Statovci- Demaj ka vizituar nxënësit në shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë ku po mbahej testi. Me këtë rast, zv/ ministrja Statovci- Demaj tha se, MAShT tashmë ka arritur një kulturë të mirë të organizmit të testeve, të pranuar nga të gjithë pjesëmarrësit në proces dhe ka uruar nxënësit për suksese në test, si dhe vazhdimin e shkollimit në nivelin e mesëm.

Zv/ ministrja Statovci- Demaj, theksoi se, Testi i Arritshmërisë organizohet me qëllim që nxënësve t’ u mundësohet shkollimi i mëtutjetshëm, duke qenë se përfundimi i klasës së IX- të shënon përfundimin e një cikli të shkollimit.

“ Këtu nuk përfundon rruga e tyre e shkollimit, ata do të vazhdojnë tutje dhe kjo do t’ u shërbejë atyre si një informatë e rëndësishme për të parë afinitetet e tyre dhe për të parë mundësitë e tyre të shkollimit të mëtutjeshëm”, u shpreh zv/ ministrja Statovci- Demaj.

Zv/ ministrja Statovci- Demaj, ka vlerësuar ecurinë e mbajtjes së testit në këtë Qendër të Testimit dhe përkushtimin e nxënësve për të përfunduar me sukses pyetjet, me të cilat po testoheshin njohuritë e tyre për këtë nivel të shkollimit.



“Diçka që ka qenë e pritshme dhe që u vërtetua është qetësia e plotë dhe organizmi jashtëzakonisht i mirë nga stafi i Ministrisë së Arsimit, në mbështetje të plotë të mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave. Gjatë kohës sa i vizitova u pa që nxënësit ishin të përkushtuar, të qetë dhe të bindur në aftësitë e tyre”, tha zv/ ministrja Statovci- Demaj.

Drejtoresha e ShFMU “Faik Konica”, znj. Kumrije Sahiti bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për mbarëvajtjen e testit për nxënësit e shkollave fillore“Elena Gjika dhe “Xhemajl Mustafa”, të cilët testimit i janë nënshkruar në këtë shkollë dhe se nuk është vërejtur ndonjë parregullsi, e cila do ta dëmtonte këtë proces.

Pyetësori i Testit të Arritshmërisë përmbanë 100 pyetje, nga lëndët Gjuhë Shqipe,  Gjuhë Angleze, Matematikë, Informatikë, Histori, Gjeografi, Fizikë, Biologji dhe Kimi dhe organizohet në tri gjuhë: shqipe, boshnjake dhe turke.

Testi u organizua në 102 Qendra të Testimit dhe u monitorua nga zyrtarë të Ministrisë së Arsimit. Rezultatet e këtij testi pritet të shpallen më 30 maj.

Last modified: 30 Gusht, 2022