Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) reagon ndaj shkrimit të botuar me datë 26 korrik 2023 në gazetën “Sinjali” me titull “Janar-qershor, zbulohen shpenzimet e Arbërie Nagavcit për mëditje dhe akomodim jashtë vendit”.
Ky shkrim ka pasaktësi dhe të pavërteta duke filluar që nga titulli tendencioz, ku pretendohet se “zbulohen shpenzimet e Arbërie Nagavcit për mëditje dhe akomodim jashtë vendit”. Në fakt, të gjitha dokumentet e shpenzimeve, i janë ofruar gazetës Sinjali nga MAShTI si përgjigjie në kërkesën për qasje në dokumente publike.
Në frymën tendencioze, që vazhdon ky shkrim mëtutje, rreth vizitës së ministres Nagavci në Angli me ftesë të Konsulatës Britanike, thuhet: “Ky udhëtim i Nagavcit gjatë muajit mars, buxhetit të shtetit i kishte kushtuar: 1 mijë e 427 euro. Prej tyre, 839 euro i kishte marrë si mëditje, dhe pjesën tjetër – do të thotë 588 euro të tjera i kishte shpenzuar për akomodim në njërin nga hotelet e Mbretërisë së Bashkuar”.
Kjo informatë, është plotësisht e pavërtetë. Vlera e mëditjes është e pasaktë, ndërsa vlera e akomodimit për këtë vizitë është e pavërtetë, duke qenë se shpenzimet e akomodimit i ka mbuluar organizatori i vizitës. Pra, nuk është shpenzuar asnjë cent në hotelet e Mbretërisë së Bashkuar nga Buxheti i Kosovës.
Shkrime të tilla mund të vënë në dyshim raportet mes MAShTI dhe institucioneve ndërkombëtare, prandaj theksojmë se, vizita e ministres Nagavci në Angli është bërë me ftesë zyrtare dhe shpenzimet e rrugës dhe akomodimit i ka mbuluar organizatori.
Me gjithë kërkesat e shumta për qasje në dokumente publike dhe vështirësitë që shkakton te stafi në punën e përditshme realizimi i kërkesave, MAShTI ka qenë gjithmonë i hapur për t’iu përgjigjur medieve dhe qytetarëve, përfshirë edhe shpenzimet e ministres dhe kabinetit të saj vit pas viti.
MAShTI siguron qytetarët se, çdo cent i shpenzuar i buxhetit të Kosovës, është përdorur dhe do të përdoret sipas planifikimit dhe për këtë do të jetë i njoftuar gjithmonë opinioni publik.
Last modified: 27 Korrik, 2023