MASHT

Qeveria zviceriane mbështet zhvillimin e arsimit profesional

18 Shtator, 2010

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Komuna e Prishtinës, Shkolla e Mesme e Bujqësisë “Abdyl Frashëri” dhe SëissContact, kanë nënshkruar sot një marrëveshje mirëkuptimi me qëllim të qartësimit të roleve dhe përgjegjësive të secilës palë në zbatimin e projektit: Zhvillimi i udhërrëfyesit për shkollën e bujqësisë “Abdyl Frashëri” për t’u bërë Qendër Mësimore e Agrobiznesit.

Në kuadër të këtij projketi 3 vjeqar, shpenzime për pajisje do të ndahen mbi 500 mijë euro dhe një pjesë tjetër e konsiderueshme do të ndahet për ekspertizë dhe konsulencë.

Krijimi i Qendrës, synon të ndihmojë nxënësit e shkollës, të rriturit, kompanitë e biznesit dhe të interesuarit e tjerë për agrokulturë dhe agrobiznes.

Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, theksoi me këtë rast, se për një shtet të ri si Republika e Kosovës, prodhimi bujqësor dhe sigurimi i ushqimit është ndër zhvillimet më të rëndësishme, që do ta përcjell shtetin tonë në ndërtim e sipër. “Rritja e prodhimit bujqësor, rritja e rendimentit, e kultivimit e promovimit dhe shitjes ka të bëjë më shumë me dijen arsimore, shkencore dhe me nivelin e dijes, të cilin mund ta ketë një vend”, theksoi ai, pasi që përmendi faktin se shkolla “Abdyl Frashëri” zë një vend të veçantë në arsimin dhe aftësimin profesional në Republikën e Kosovës.

“Marrëveshja që ne po e nënshkruajmë, e ka edhe një peshë të veçantë jo vetëm sa i përket zhvillimit të kurrikulumeve të reja, jo vetëm sa i përket trajnimeve të cilat do të kenë mundësi t’i marrin mësimdhënësit, por edhe sa i përket ridefinimit të misionit të kësaj shkolle, e cila për mendimin tonë duhet të shndërrohet në një qendër të kompetencës, në një qendër të arsimit dhe aftësimit profesional dhe të jetë në nivel të shtetit të Kosovës si ndër institucionet më të rëndësishme”, theksoi ministri Hoxhaj.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, theksoi po ashtu rëndësinë që ka shkolla cilësore në prodhimtari. “Kemi synimin që të zhvillohemi në pikëpamje ekonomike dhe ne nuk do të zhvillohemi mirë nëse nuk do të kemi shkollë të mirë…”, theksoi ai, ndërsa premtoi përkrahjen e komunës për këto shkolla dhe theksoi kontributin e madh të donatorëve.

Ambasadori i Zvicrrës në Kosovë, Lukas Beglinger vlerësoi se nënshkrimi i këtij momerandumi është një gurëthemel i rëndësishëm i bashkëpunimit në sferën e arsimit në mes të Zvicrës dhe Kosovës. “Është një gurë themel i rëndësishëm në përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për modernizimin e sferës së arsimit dhe për të përmbushur nevojat e tregut të punës”, tha ai, pasi theksoi se Zvicrra është duke bashkëpunuar me Kosovën qe disa vite në sferën e arsimit.

Ndërsa, Peter Porten, menaxher i projektit të SëissContact-it, me këtë rast tha se “kjo shkollë, nga një shkollë krejt e zakonshme do të shndërrohet në një qendër të kompetencave për fushën e agrobiznesit”.

Në Kosovë ka 57 shkolla profesionale, disa prej të cilave janë shkolla bujqësore.

Last modified: 26 Gusht, 2022