Sot, në mbledhjen e rregullt të saj, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka aprovuar dokumentin më të rëndësishëm strategjik të fushës së arsimit, që përcakton rrugën e qartë që do të ndjekë sistemi i arsimit në pesë vitet e ardhshme.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë , gjatë këtij viti ka hartuar Planin Strategjik për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë 2017-2021 dhe reflekton jo vetëm objektivat dhe caqet që mëtojmë ti arrijmë në të gjitha nivelet e arsimit, që ka rezultuar nga një proces gjithëpërfshirës të të gjithë akterëve, njëherit pasqyron edhe ekspertizë të lartë profesionale për të siguruar një plan ambicioz dhe të realizueshëm, por ka për qëllim t’i jap përgjigje gjendjes aktuale dhe sfidave që e shoqërojnë sistemin arsimor në të gjitha nivelet e përgjegjësisë.
Si i tillë, Plani Strategjik për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë 2017-2021, është në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe përfshinë masat që kanë të bëjnë me rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve në edukimin parashkollor dhe parafillor , rritjen e kualifikimit dhe përgatitjen e mësimdhënësve, përmirësimin e relevancës së ofrimit të shkollimit për kërkesat e tregut të punës, si dhe forcimin e mekanizmave të llogaridhënies përmes vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, inspektimit dhe testeve të jashtme.
Shtyllat kyçe të këtij plani janë: cilësia, gjithëpërfshirja dhe llogaridhënia.
Ne kemi obligim të ndërtojmë një sistem arsimor që ofron cilësi, sepse duam që Kosova të jetë një shoqëri e cila zhvillimin e vet e bazon në dije, ndërsa qytetarët e saj të posedojnë njohuri dhe shkathtësi që i bëjnë të punësueshëm, si në vend ashtu edhe jashtë tij. Prandaj, plani parasheh zbatimin e kurrikulës së bazuar në kompetenca, t’i pajisim shkollat me teknologji të informacionit dhe mjete të konkretizimit, ta përmirësojmë cilësinë e teksteve mësimore dhe, mbi të gjitha, ta përmirësojmë cilësinë e mësimdhënies në të gjitha nivelet e sistemit të arsimit. Ndërkaq, në arsimin e lartë fuqizimin e mekanizmave të sigurimit të cilësisë, duke i zbatuar me përpikëri kriteret dhe procedurat e akreditimit, por edhe duke i ndihmuar institucionet e arsimit të lartë që t’i përmbushin standardet e cilësisë.
Prandaj, ky plan parasheh që bashkë me komunat të ndërtojmë një sistem i cili ofron llogaridhënie funksionale në të gjitha nivelet e sistemit të arsimit, duke përfshirë përmirësimin e menaxhimit të shkollës, funksionalizimin e sistemit për licencimin e mësimdhënësve, vlerësimin e performancës së shkollës, si dhe rritjen e besueshmërisë së testeve kombëtare që kanë për qëllim vlerësimin e njohurive dhe shkathtësive të nxënësve.
Miratimi i Planit Strategjik për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë 2017-2021, paraqet veprim konkret të Qeverisë së Kosovës, për ti dhënë përgjigje edhe rezultateve të Vlerësimit Ndërkombëtar PISA 2015, të cilat i kemi prezantuar gjatë ditës së djeshme, ndërsa brenda këtij muaji MASHT do të prezantoj Planin e Veprimit për adresimin e sfidave për ngritjen e nivelit të cilësisë në reflektim edhe të rezultateve të këtij procesi.
Plani Strategjik për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë 2017-2021, do të botohet dhe shpërndahet tek të gjithë akterët, për të kontribuar në zbatimin e tij dhe bërjen realitet të vizionit që përmban ky plan.
Last modified: 29 Gusht, 2022