MASHT

PROMOVOHET UDHËZUESI “PLANIFIKIMI I USHQYERJES NË INSTITUCIONET PARASHKOLLORE NË REPUBLIKËN E KOSOVËS”

30 Nëntor, 2022

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka promovuar sot Udhëzuesin “Planifikimi i ushqyerjes në institucionet parashkollore në Republikën e Kosovës”, i cili ka për qëllim krijimin dhe integrimin e një mjedisi në sistemin parashkollor që promovon ushqyerjen e shëndetshme tek fëmijët dhe shprehitë e shëndetshme.

Ky udhëzues u hartua nga Grupi Multisektorial për Ushqyerjen e Shëndetshme, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa projekti në kuadër të cilit është hartuar ky udhëzues është mbështetur nga UNICEF Zyra në Kosovë. Me këtë rast, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, theksoi se Edukimi në fëmijërinë e hershme përbën komponentën kyçe të prioriteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Pasi që përmendi një varg masash që janë marrë për rritjen e pjesëmarrjes dhe ngritjen e cilësisë së kujdesit në këtë nivel, ministrja theksoi rëndësinë e ushqimit në fëmijërinë e hershme, si pjesë e pandashme e rritjes së shëndetshme të fëmijëve.

Ministrja Nagavci tha se Udhëzuesi ofron informatat kyçe mbi rëndësinë dhe parimet e ushqyerjes se duhur ne moshën e hershme dhe do të ndihmojë fëmijët tanë të kenë rritje dhe zhvillim të shëndetshëm nëpërmjet marrjes së vlerave ushqyese dhe përfitimit të zakoneve të shëndetshme të të ushqyerit.

Ministrja falënderoi grupin ndërsektorial që ka punuar për hartimin e këtij udhëzuesi dhe partnerët zhvillimorë për mbështetje, e në veqanti UNICEF-in. Ndër të tjera, ajo theksoi se MAShTI, në bashkëpunim me ministritë e linjës dhe partnerët, do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me nivelin lokal, do të ofrojë mbështetje për komunat në ofrimin e pajisjeve të nevojshme, krijimin e hapësirave të shëndetshme të cilat mundësojnë ushqimin e shëndetshëm për fëmijët tanë siç është përcaktuar në këtë udhëzues.

Duke folur për rëndësinë e ushqimit në aspektin shëndetësor të fëmijëve, u.d. e ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku tha se, ushqimi i shëndetshëm është faktor vendimtar i zhvillimit fizik dhe rritjes së fëmijëve. Ajo gjithashtu theksoi se, fëmijët e kequshqyer ballafaqohen me komplikime në shëndet dhe ato vazhdojnë deri në moshën kur ata rriten.

Zëvendësshefja e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Larisa Brun tha se, institucucionet e Kosovës janë duke i dhënë rëndësi çdo herë e më shumë ushqyerjes së mirë të fëmijëve.

Ajo po ashtu përmendi edhe disa statistika të cilat kanë dalë nga hulumtimet e realizuara në Kosovë, sa i përket ushqimit ekskluziv me gji për fëmijët nën moshën 6 muaj dhe të dhëna të cilat flasim për fëmijët mbipeshë dhe ata me ngecje në zhvillimin fizik.

Last modified: 30 Nëntor, 2022