MASHT

Promovohet libri monografi Flakadani i Arsimit Kombëtarë të bashkautorëve Mehmet Gjevori e Mehmet Halimi

4 Mars, 2011

“Mehmet Gjevori, ngriti përmendoren e tij gjatë 67 viteve veprimtari intelektuale, pedagogjike dhe krijuese”, tha ministri Buja me rastin e promovimit të këtij libri.

Në këtë promovim libri ishin të pranishëm edhe këshilltari i ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Andi Gjoi, intelektual e familjarë, miq të të madhit Mehmet Gjevori, tashmë të ndjerë.

Ministri i Arsimit Ramë Buja në fjalimin e tij të rastit fillimisht foli për kontributin e çmuar ndër vite të Mehmet Gjevorit i cili la gjurmë të pashlyeshme në fushën e kulturës e të gjuhës shqipe. Ndërkaq duke folur për librin por krahas kësaj edhe për veprimtarinë e Mehmet Gjevorit, ministri u shprehë se “nuk ka mundë të thotë autori as në mbi 500 faqe të tekstit të kësaj monografie tërë atë që duhet thënë për Mehmet Gjevorin”. 
Në vazhdim Ministri Buja tha se “Gjevori, nuk është marrë më politikë por ka krijuar politikanë, nuk është marrë me politikën as s’është marrë drejtë përdrejt me armën por ka krijuar luftëtarë lirie. Them se ky libër është me vlerë të madhe por i madhi Mehmet Gjevori, ngriti përmendoren e tij gjatë 67 viteve veprimtari intelektuale, pedagogjike dhe krijuese. Çfarëdo përmendore që mund të bëjmë ne, nuk e kemi bërë të madhe aq sa është veprimtarja e tij, se kemi bërë të përmasave dhe proporcionit te veprimtarisë së tij”, tha në fund ministri Buja.

Për jetën dhe veprën e Mehmet Gjevorit folën edhe Ramiz Kelmendi, Mark Krasniqi, Jusuf Osmani, Andi Gjoi, këshilltarë në ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, Mehmet Halimi si dhe shumë intelektual të pranishëm.

Monografia Flakadani i Arsimit Kombëtarë u cilësua si një ndër veprat më me vlerë të këtij lloji në gjithë hapësirën shqiptare.

Last modified: 26 Gusht, 2022