MASHT

Procesi i zgjedhjes së rektorit të Universitetit të Prizrenit është në fazën parafinale

16 Qershor, 2010

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj dhe përfaqësuesi i Ministrisë për Arsim dhe Shkencë i Austrisë, njëherësh udhëheqës i komisionit ndërkombëtar për përzgjedhjen e rektorit të Universitetit të Prizrenit, Hubert Durrstein, kanë mbajtur sot një konferencë për media, ku është folur për procesin e përzgjedhjes së rektorit themelues të Universitetit të Prizrenit.

Ministri Hoxhaj, me këtë rast, ka theksuar se ky proces ka zgjatur disa muaj. Fillimisht është hapur konkursi në gazetat ditore në Kosovë dhe në gazeta me renome në rrafshin ndërkombëtar, me qëllim që të aplikojnë kandidatë, të cilët janë të përgatitur që ta themelojnë dhe funksionalizojnë Universitetin e Prizrenit.

“Ka qenë një proces, i cili ka zgjatë pothuajse 6 muaj, me të vetmin qëllim që, ne si Qeveri e Kosovës ta marrim një kandidat, i cili vërtet e ka profilin, përgatitjen, përvojën, përkushtimin, që ta themelojë një universitet, i cili duhet të jetë universitet i shekullit 21 dhe i cili do të kontribuojë në Republikën të Kosovës, që arsimi i lartë të jetë fuqi motorike për zhvillimin ekonomik të vendit”, tha ministri Hoxhaj.

Ministri foli edhe për përbërjen e komisionit ndërkombëtar për përzgjedhjen e rektorit të Universitetit të Prizrenit, i cili përbëhet nga profesori Durrstein, i cili është nominuar nga Ministria e Arsimit e Austrisë, nga përfaqësues të jetës akademike në Republikën e Kosovës, Universiteti Publik i Prishtinës, Universiteti Amerikan në Kosovë, Gjermania, Austria dhe vende të tjera evropiane, “në të cilin komision kanë qenë ish rektor, rektorë, president të universiteteve, të cilët vet e dinë se çka nënkupton themelimi, menaxhimi dhe udhëheqja e një universiteti”.

“Profesori Durrstein ka qenë rektor në Republikën e Austrisë, ka qenë ndër rektorët më eminent që ka pasur Austria, prandaj edhe për shkak të një partneriteti që ka Kosova me Austrinë, Ministria e Arsimit e Austrisë ne na ka ndihmuar me ekspertizën e saj, që të përzgjidhet rektori”, sqaroi ministri Hoxhaj.

Ju dini, tha ministri Hoxhaj, që qëllimi jonë është që në Prizren ta kemi jo vetëm një universitet të dytë, por një universitet i cili i plotëson nevojat e ekonomisë së tregut, i cili përgatitë të rinj për ekonomi të tregut, rritë fuqinë kualifikuese në Republikën e Kosovës. “Meqë për ne nga fillimi ka qenë agjenda që ekonomia është edukim dhe edukimi është ekonomi, ky universitet për nga profili do të jetë një universitet i biznesit me fokus drejtimet si: ekonomi, biznes, menaxhment, teknologji informative, juridik, pra për vitin e parë 5 programe të studimeve, ndërsa për vite të tjera do të shtohen edhe 5 programe tjera”.

Ndërsa, përfaqësuesi i Ministrisë për Arsim dhe Shkencë i Austrisë, Hubert Durrstein, foli në mënyrë më të detalshme për procedurën e përzgjedhjes së rektorit të Universitetit të Prizrenit.

“Që ky proces të jetë i ngjashëm me një proces ndërkombëtar, pika e parë që ne kemi bërë është që e kemi përzgjedhur një komision ndërkombëtar dhe pika e dytë që ka qenë një konkurs ndërkombëtar për përzgjedhjen e rektorit”, tha ai.

Durrstein theksoi se konkursi për përzgjedhjen e rektorit është hapur në mars, ku janë paraqitur gjithsej 40 aplikacione nga kandidatë ndërkombëtar nga e mbarë bota (Azia, SHBA-të, Evropa, Amerika Veriore etj). Ai shpjegoi se procesi i përzgjedhjes është zhvilluar në Vjenë në fillim të muajit maj dhe janë përzgjedhur 5 kandidatë për intervistë, nga të cilët vetëm 3 janë intervistuar dy ditët e kaluara, sepse 2 të tjerë nuk kanë mundur të vijnë për shkak të obligimeve të tyre. Megjithatë, Durrstein theksoi se do të organizohet edhe një intervistë tjetër në fillim të korrikut.

“Ne mund t’i rekomandojmë ministrit të fillojë negociatat me kandidatin që ia kemi propozuar tani dhe në fillim të korrikut të fillojmë me procesin e dytë të intervistës”, tha ai, ndërsa theksoi se është angazhuar edhe një agjencion ndërkombëtar për vlerësim të kandidatëve për burime njerëzore, shkathtësitë menaxheriale të tyre.

Duke theksuar rëndësinë e përzgjedhjes së kandidatit për rektor të Universitetit të Prizrenit, Durrstein tha se ministri Hoxhaj mund të vendos diku ka mesi i korrikut.

Last modified: 26 Gusht, 2022