Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe zëvendësministri Arsim Ademi morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së titullit “Honoris Causa” për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, organizuar nga Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan.

Ky titull u dha për kontributin e Begajt në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për mbështetjen e tij të vazhdueshme ndaj Kosovës.
Ministrja Arbërie Nagavci në fjalën e saj thekson rëndësinë historike dhe simbolike të titullit “Honoris Causa” në qarqet akademike, duke vlerësuar Presidentin Bajram Begaj si një personalitet që e meriton plotësisht këtë nderim, dhe nënvizoi kontributin e tij të jashtëzakonshëm për shoqërinë dhe për forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Nagavci tutje tha se Presidenti Bajram Begaj, ka respektin dhe mirënjohjen e përjetshme për kontributin e pakursyer që ka dhënë për Kosovën, me veprimtari të gjerë në rrafshin politik, diplomatik, ekonomik dhe ushtarak, dhe me vepra të guximshme e të pakursyera, Presidenti Begaj ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e shtetit tonë të ri, Republikës së Kosovës.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci shprehu mirënjohjen e saj ndaj Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan për organizimin e ceremonisë së ndarjes së titullit “Honoris Causa” për Presidentin Bajram Begaj, duke vlerësuar këtë iniciativë si një akt tërësisht të merituar dhe dinjitoz.
Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Artan Dermaku, e përshkroi titullin “Honoris Causa” si më shumë se një nderim formal, duke cilësuar atë si një shenjë të thellë respekti për përkushtimin dhe profesionalizmin e jashtëzakonshëm gjatë gjithë jetës së Presidentit Bajram Begaj.
Ndërsa, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi se lidhja e tij me qytetin dhe universitetin do të jetë shumë e madhe, por lidhja me Kosovën do të jetë edhe më e fortë dhe e pandashme, në çdo rrethanë dhe situatë.
Last modified: 12 Prill, 2025