MASHT

Përurohet shkolla e re në Zhegër të Gjilanit që mban emrin e heroit Agim Ramadani

3 Maj, 2011

“Ishte patriotizëm dikur të bëjmë burg dhe luftë, por sot është kulmi i patriotizmit të jesh i ditur”, tha ministri Ramë Buja gjatë përurimit të shkollës së re, e cila u bë pikërisht në ditëlindjen e heroit, emrin e të cilit e mban shkolla

Në ditën e tretë të manifestimit tradicional kulturor “Ditët e Agimit”, banorët e Zhegrës së Gjilanit kanë shënuar tri festa të mëdha: Ditën e shkollës, ditëlindjen e heroit Agim Ramadani dhe përurimin e objektit të ri të shkollës, e cila mban emrin e heroit.

Në këtë ceremoni festive, ka marrë pjesë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, i cili fillimisht ka qenë i pranishëm në manifestimin që shënonte të tri ngjarjet, për të vazhduar më pas në objektin e ri të shkollës fillore “Agim Ramadani”, ku edhe është bërë përurimi i objektit.

Gjatë manifestimit, ministri Buja, para shumë të pranishmëve që vinin nga jeta politike, kulturore, banorë, mësimdhënës e nxënës, është shprehur i emocionuar për këtë ngjarje të veçantë. “Sot po vendoset në një shkollë emri i një bashkëluftëtari tim, emri i një njeriu që shkoi si Agim për të realizuar agimet ë të gjithë neve. Kjo ka shumë simbolikë dhe kjo simbolikë do të duhet të na bej më të ndërgjegjshëm se ku ishim, ku jemi dhe ku synojmë të shkojmë”, tha ai.

Ishte patriotizëm dikur, tha ministri Buja, të bëjmë burg dhe luftë, por sot është kulmi i patriotizmit të jesh i ditur. Ai i porositi nxënësit që nëse duan të bëhen si Agim Ramadani, të mësojnë dhe të bëhen të ditur.

“Qeveria e Kosovës, Ministria e Arsimit dhe unë personalisht kemi vendosur në fokus të goditjes (në kuptimin pozitiv) që tanimë të analizojmë çështjen e cilësisë, jo pse na ka munguar, por pse duhet ta shtojmë. Synojmë Evropën dhe atje shkojnë vetëm njerëzit e ditur”, tha ministri i Arsimit, dhe më pas theksoi se të diturit i kanë të gjitha portat e hapura.

Ministri Buja, para të pranishmëve kumtoi edhe një lajm të mirë: atë që tashmë Senati i Universitetit të Prishtinës, me insistimin e MASHT-it, ka marrë vendim që të hapen studimet e doktoratës në të gjitha njësitë akademike, studime të cilat nuk janë hapur për një kohë të gjatë. “Kjo është diçka që do ta ngris cilësinë që ne e synojmë”, tha ministri, i cili uroi të gjithë nxënësit, pedagogët , prindërit dhe komunitetin në përgjithësi për shkollën e re.

“Do të jemi shumë më të gëzuar, atëherë kur të kemi realizuar synimin për të qenë ata që do të duhej të bartnim barrën e shekullit 21, e kjo është dija”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, theksoi rëndësinë që kishte dikur kjo shkollë për lirinë e Kosovës dhe rëndësinë që ka tani për shtetndërtimin e saj. “Me angazhim, unitet dhe punë të mira, më së miri i nderojmë dëshmorët”, tha ai.

Për të shënuar këtë ditë të veçantë, nxënësit e shkollës fillore, kishin përgatitur edhe një program të pasur artistik me recitime, këngë e valle.

Ndërtimi i objektit të shkollës fillore në Zhegër, që mban emrin Agim Ramadani, është investim i MASHT-it dhe ndërtimi i saj ka kushtuar rreth 1 milion e 125 mijë euro. Objekti përmban këto hapësira: 17 dhoma mësimi, 2 dhoma për parashkollorë, 1 kabinet të muzikës, 3 laboratorë, bibliotekën, 3 zyra administrate dhe sallën e arsimtarëve. Puna në këtë objekt të ri pritet të fillojë më 1 shtator të këtij viti, pra me fillimin e vitit të ri shkollor.

Last modified: 26 Gusht, 2022