MASHT

Përsëritet Testi i Arritshmërisë në Gjilan, Han të Elezit dhe Dragash

8 Qershor, 2016

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka organizuar procesin e ritestimit për nxënësit e klasave të nënta (Testi i Arritshmërisë) në tri komuna: Gjilan, Dragash dhe Han të Elezit, pas anulimit të testit të parë, ku ishin konstatuar parregullsi dhe rezultate joreale.

Për të parë nga afër zhvillimin e këtij procesi, zëvendësministrja e Arsimit, znj. Anila Statovci Demaj, ka vizituar nxënësit në qendrat e testimit në shkollat: ”Selami Hallaqi”,”Musa Zajmi “ dhe “Thimi Mitko” në Gjilan.

Me këtë rast, zv/ministrja Statotovci Demaj, ndër të tjera tha se, përsëritja e këtij testi ka për qëllim që të sigurojë një vlerësim të barabartë për të gjithë nxënësit në Kosovë.

“Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë është e përkushtuar dhe ka për detyrë që të sigurojë kushte të mira mësimi, tekste shkollore dhe mësimdhënie bashkëkohore, andaj edhe kushte të përshtatshme testimi. Të gjitha këto me qëllim që të kemi një  vlerësim  real dhe arsim cilësor”,  tha znj. Statovci.

Testi i Arritshmërisë, theksoi zv/ministrja, nuk ka për qëllim të eliminojë nxënësit nga vijueshmëria e mëtutjeshme e mësimit, por përmes tij vlerësohet se sa ka përfituar një nxënës gjatë viteve paraprake të shkollimit dhe se nga ky vlerësim ata do të kenë mundësi të zgjedhin drejtimet e duhura në shkollimin e mesëm.



Nxënësit në Gjilan, janë vizituar edhe nga kryetari i komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri dhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, z. Nazmi Musa, të cilët u shprehën  se edhe nga ky ritestim, nxënësit gjilanas do të dalin me rezultate të mira dhe se e respektojnë vendimin e MAShT-it për ripërsëritjen e testit. 

Në komunën e Gjilanit , sot janë ritestuar 1851 nxënës në 24 qendra testimi  për mbikëqyrjen e  të cilëve janë kujdesur 196 administratorë.

MAShT , ka riorganizuar  Testin e Arritshmërisë edhe në komunën e Dragashit dhe Hanit të Elezit, ndërsa rezulatet do të shpallen më 10 qershor 2016.

Last modified: 30 Gusht, 2022