Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në ceremoninë e përmbylljes së Projektit QATEK, i cili synon ngritjen profesionale të mësimdhënësve të rinj dhe zhvillimin e kulturës së cilësisë në institucionet që përgatisin mësimdhënës.
Ministrja e Nagavci me këtë rast ka thënë se, Projekti QATEK është rezultat i bashkëpunimit të frytshëm mes Universitetit të Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës dhe Mitrovicës, me Universitetin Lumsa në Romë, Universitetin e Lubljanës dhe atë të Tallinit, duke bërë që bashkëpunimi të jetë i gjerë, produktiv, me mundësi të mëdha të shkëmbimit të përvojave dhe njohurive.
Ministrja Nagavci bëri të ditur se, MAShTI ka në fokus përmirësimin e cilësisë së arsimit në të gjitha hallkat e tij, si në mesin e mësimdhënësve ashtu edhe në përmbajtjen e teksteve shkollore, dhe të gjitha aspektet e shkollimit dhe edukimit në Kosovë.
Ndër të tjera, Nagavci përmendi disa nga veprimet të cilat janë ndërmarrë, nga niveli parashkollor e deri te zhvillimi profesional tërëjetësor, përmes të cilave edhe synohet arritja e objektivave për ngritjen e cilësisë, duke përfshirë legjislacionin, infrastrukturën, inovacionin etj.
Sipas ministres Nagavci, të gjitha proceset e nisura dhe ato të cilat tashmë kanë përfunduar, kanë një pikësynim të vetëm, ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies në shkollat tona.
Në fund, Nagavci ka përgëzuar zbatuesit e Projektit, i cili ka nisur punën në vitin 2020, një ndër periudhat më sfiduese në jetën e të gjithë banorëve të globit, ndërsa ka falënderuar Programin Erasmus+ të Bashkimit Evropian, që si partneri ynë më i fuqishëm në vazhdimësi ofron mbështetje në thuajse të gjitha aspektet e sistemit tonë arsimor.
Për rëndësinë e Projektit QATEK ka folur edhe rektori i UP-së, Qerim Qerimi i cili tha se, rëndësia e Projektit është e shumëanshme dhe njëra prej tyre është zhvillimi i mekanizmave të brendshëm të cilësisë, duke krijuar praktika evropiane të sigurimit të cilësisë, e që është një nga aspiratat tona të përbashkëta.
Projekti Drejt një Mësuesi Fillestar të Orientuar nga Cilësia për të Rritur Profesionalizmin e Mësuesve në Kosovë (QATEK), synon futjen e mekanizmave për sigurimin e cilësisë në
institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, për të zbatuar praktika të brendshme të sigurimit të
cilësisë, që çojnë drejt ngritjes së cilësisë së të diplomuarve dhe reformës në shkollë.
Last modified: 29 Shkurt, 2024