Me rastin e 43 vjetorit të demonstratave të studentëve, të 11 marsit 1981, kryeministri i Republikës sē Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në shoqërimin edhe të protagonistëve të atyre demonstratave, Hydajet Hyseni, Shefik Sadiku dhe Kadri Batusha kanë vizituar Mensën e Studentëve, ku janë pritur nga Ud. drejtori i Qendrës së Studentëve, Ekrem Rudari dhe stafi i Qendrës.
Gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti ka përkujtuar këtë ngjarje të rëndësishme historike, ku më 4 mars të atij viti studentët nga gjithë vendi organizuan një protestë në Prishtinë, për kushte më të mira në Mensën e Studentëve dhe kjo protestë i parapriu demonstratave të 11 marsit 1981.
Kryeministri Kurti para studentëve dhe të pranishmëve të tjerë tha se, Pranvera e vitit 1981 vazhdon të jetë gurëthemel i Republikës së Kosovës, por njëkohësisht edhe shembull i zellit studentor që nuk përfundon me studimet, por vetëm nisë me to.
Kurti gjithashtu theksoi se, studentët përfaqësojnë pjesën më të emancipuar të popullit tonë.
Ndërsa, Hydajet Hyseni, i cili ishtë njëri nga protagonistët e demonstratave të vitit 1981 tha se, historia jonë është përplotë përpjekje për të qëndruar e rezistuar, por nuk mjaftonte vetëm kaq, duhej edhe lëvizje që ajo pastaj të hapte perspektivën dhe të sillte lirinë.
Hyseni rikujtoi se, studentët e Panverës shqiptare në parullat e tyre bartnin kërkesa për kushtet sociale, shoqërore dhe mbi të gjitha barazi me studentet tjerë, e cila pastaj i parapriu luftës së popullit për liri e barazi.
Last modified: 12 Mars, 2024