Është mbajtur Konferenca përmbyllëse e pilot programit “Zbatimi i Teknologjisë Informative dhe të mësuarit elektronik në shkollat e Kosovës (TIK) ” , financim i Komisionit Evropian në Kosovë.
Në këtë konferencë morën pjesë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Ramë Buja, ministri i Administratës Publike, Mahir Yaggjillar , ministri për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj dhe Khaldon Sinon, ushtrues detyre i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë.
Me këtë rast u fol për pilotimin e këtij projekti në rreth 40 shkolla të Kosovës, rëndësinë e mësimit në distancë E-Learning, si pjesë e modernizimit të sistemit arsimor në Kosovë.
Ministri Buja ndër tjera tha se në kohën e zhvillimit industrial, në nivel global, roli i sistemit arsimor ka marrë hov edhe më shumë se që kishte në të kaluarën.
“Ky rol ka tendencë të rritet dhe kjo më së miri ilustrohet me zhvillimin e hovshëm industrial ekonomiko-shoqëror të shteteve si Japonia, Irlanda dhe Estonia “, theksoi ministri . Më tej, ministri Buja tha se një prej përgjegjësive që kemi ndaj gjeneratave të reja është se çfarë sistemi arsimor dhe çfarë mundësishë teknologjike po ju ofrojmë atyre me qëllim të përgatitjes së tyre për të qenë të aftë të përballojnë sfidat e jetës dhe tregun e punës .
“Arsimi është caktuar si një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe në kuadër të këtij prioriteti është rritja e cilësisë, gjithëpërfshirja , mësimi gjatë gjithë jetës dhe zhvillimi i vazhdueshëm i burimeve njerëzore . Ndërkaq, mësimi elektronik është paraparë edhe në kuadër të Strategjisë për Zhvillim të Arsimit Parauniversitar.”
Duke folur për angazhimet e Qeverisë në këtë aspekt ministri tha se
“Qeveria e Republikës së Kosovës, ka integruar aplikimin e TIK-ut në të gjitha dokumentet strategjike dhe në Draft Strategjinë për mësim elektronik, e cila është e bazuar në rrethanat e zhvillimeve në Kosovë “.
Më tej, ministri njoftoi se në të ardhmen parashihet themelimi i një shkolle të mesme profesionale edhe një Universiteti të Shkencave Aplikative që do të përgatiste kuadro për këtë fushë.
Ndryshe, projekti i TIK-ut , në fushën e arsimit ka furnizuar me teknologji informative 39 shkolla, në mesin e të cilave ka shkolla fillore, të mesme, qendra didaktike si dhe shkolla për fëmijë me nevoja të veçanta.
Ndërkaq një pjesë e përmbajtjeve janë edhe në gjuhët e komuniteteve .
Në këtë projekt janë trajnuar 2500 mësimdhënës për integrimin e TIK-ut në sistemin arsimor.
TIK ka kontribuar edhe në krijimin e portalit të parë elektronik, ku do të publikohen përmbajtjet elektronike me çka synohet të zbutet mungesa e theksuar e literaturës profesionale në sistemin arsimor të Kosovës.
Last modified: 29 Gusht, 2022