MASHT

Përfaqësuesi i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (ONF) z. Eric Poppe vizitoi MAShTI-n

13 Gusht, 2024

Përfaqësuesi i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (ONF) z. Eric Poppe ka vizituar sot Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në kuadër të aplikimit për avancimin e statusit të Kosovës në ONF nga anëtar i asociuar në anëtar me të drejta të plota.

Z. Poppe u prit nga Sekretarja e Përgjithshme, znj. Fadile Dyla, dhe një delegacion i zyrtarëve të lartë në MASHTI, të cilët e informuan në lidhje me veprimet dhe hapat e ndërmarrë për plotësimin e kritereve për anëtarësim në ONF. Këtu përfshihet përfaqësimi i Kosovës në Qendrën Rajonale të Frankofonisë për Evropën Juglindore (CREFECO), pjesëmarrja aktive në aktivitetet e ONF-së, promovimi i mësimit të gjuhës frënge në shkollat tona etj.

Mësimi i gjuhës frënge, si një ndër gjuhët më të rëndësishme në kontinentin evropian, hap dyer të shumta përmes të cilave nxënësit tanë mund të zhvillojnë potencialin e tyre në vendet frëngjishtfolëse, ndaj kjo gjuhë ka rëndësi dhe interes të veçantë në rrafsh nacional dhe botëror.

MASHTI në vazhdimësi inkurajon dhe është gjithnjë i gatshëm për mbështetjen dhe promovimin e gjuhës frënge dhe kulturës franceze në shkollat e Kosovës dhe më gjerë, duke iu bashkuar nismave të shumta për inkuadrimin e vendit tonë në instanca dhe organizata botërore në kuadër të integrimeve evropiane dhe më gjerë.

Last modified: 14 Gusht, 2024