Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, rektori i Universitetit të Prishtinës Mujë Rugova dhe eksperti britanik Stive Bristow, kanë qëndruar për një vizitë të shkurtër në Pejë. Ata u pritën nga kryetari i komunës së Pejës, Ali Berisha me të cilin biseduan për mundësitë e themelimit të Universitetit Publik në Pejë. Këtë lajm ministri Hoxhaj e kumtoi edhe në prani të studentëve të Fakultetit të Biznesit në këtë qytet.
“Kam ardhur në Pejë të sjell lajmin që Peja, Istogu, Klina, Deçani dhe Gjakova do ta kenë universitetin e tyre me qendër në Pejë”. Ishin këto fjalët e para të ministrit Hoxhaj në takim me studentët e Fakultetit të Biznesit në Pejë.
Kishim një takim shumë të mirë me kryetarin komunës dhe nënkryetarin dhe biseduam se përse Peja ka nevojë që të ketë një Universitet”.
Së pari ne mendojmë se Republika e Kosovës duhet të ketë zhvillim të balancuar, do të thotë që jo vetëm Prishtina do të jetë qytet i cili e ka mbështetjen e pushtetit qendror dhe të gjitha investimet, projektimet duhet të koncentrohen në Prishtinë, por zhvillimi i balancuar nënkupton që edhe Peja duhet të jetë qendër e rëndësishme universitare.
Së dyti, qyteti i Pejës është një qendër e rëndësishme jo vetëm e përmasave të tij si qytet dhe si komunë, por është një qendër regjionale. I shërben katër-pesë komunave të tjera.
Por është edhe një qendër rajonale, sepse është shumë afër Malit të Zi dhe këtu ka pasur një traditë ku kanë studiuar edhe studentë nga viset shqiptare nga Mali i Zi, si dhe boshnjakë e malazezë. Do të thotë ky universitet duhet ta ketë funksionin e tij edhe regjional edhe rajonal.
Së treti, Peja është një qytet elitist, ka një elitë e cila jo vetëm në Pejë, por në mbarë republikën tonë ka një rol jashtëzakonisht të fuqishëm në politikë, ekonomik, kulturë dhe mbi të gjitha në jetën akademike.
Së katërti, përveç asaj dua t’ju them se qytetarët e pejës kanë një shpirt të fuqishëm ndërmarrës, njerëz të zhvillimit, përparimit, prandaj edhe ky universitet synon që mbi të gjitha të jetë forcë motorike e zhvillimit të qytetit të Pejës dhe kësaj pjese të Kosovës karshi interesave që kanë vet qytetarët.
Së pesti, ne jemi të interesuar që ky universitet të ofrojë programe studimi ne përputhje me nevojat e tregut të punës të kësaj ane të Republikës së Kosovës.
Së gjashti, studentët që vijnë shumë nga Peja në Prishtinë, paguajnë rreth 300 – 500 euro në muaj që të studiojnë, ndërsa në universitetin e Pejës ata do ta kenë mundësinë që të studiojnë edhe me 50 apo 100 ero në muaj, meqë ky universitet është shumë afër tyre.
Së shtati, ne jemi të interesuar që ta rrisim me çdo kusht pjesëmarrjen e të rinjve në arsimin e lartë dhe mendojë se ky universitet do ta rritë këtë pjesëmarrje than ë fund ministri Hoxhaj.
Last modified: 26 Gusht, 2022