Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), në bashkëpunim me institucionet parashkollore të Kosovës, kanë organizuar sot Olimpiadën e gjashtë të “Lojërave pa kufij” të fëmijëve parashkollor.
Me këtë aktivitet të mbajtur në sallën 1 Tetori në Prishtinë, është shënuar edhe 1 Qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, ku kanë marrë pjesë rreth 600 fëmijë të kësaj moshe nga 37 institucione parashkollore nga i gjithë vendi.
Olimpiada “Lojërat pa kufij” organizohet me qëllimin e promovimit të vlerave që përmbajnë në vetvete lojërat lëvizore dhe sportive, duke u fokusuar në përmirësimin e shëndetit mendor dhe fizik te fëmijëve, në integrimin social-kulturor, në drejtësi, ne harmoni dhe unitet me komunitetin si dhe për integrimin e të gjithë fëmijëve pa dallim.
Me këtë rast, ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj ka kërkuar që fëmijët në ditën e tyre të nderohen me një duartrokitje. Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, është konsideruar nga ministri Hoxhaj si ditë e veçantë për fëmijët, por ai bëri thirrje që edhe gjatë gjithë ditëve të tjera të vitit, fëmijët të kenë trajtim të duhur, përkushtim dhe përkujdesje.
Ministri Hoxhaj premtoi se që nga viti 2013 do të vendoset që nga mosha 5 vjeç, edukimi parashkollor të bëhet i obligueshëm. Ai theksoi se vetëm me edukim efikas në këtë nivel edukativ mund të zhvillohet personaliteti i tyre, pa përjashtuar lojën si mjet për integritetin e tyre.
Ndërsa, Labërie Luzha nga këshilli organizativ, tha se lojërat janë nga elementet kryesore për realizimin e veprimtarisë edukative dhe nga mjetet më efikase, që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin fizik,emocional, social, njohës dhe artistik të fëmijëve.
Ky aktivitet për herë të parë ne Kosove është organizuar në vitin 2004 në Prishtinë nga institucioni parashkollor “Gëzimi Ynë”. Që nga atëherë olimpiada është mbajtur çdo vit, duke rrugëtuar nëpër qytetet tona, si në Gjilan, Gjakovë, Pejë e Prishtinë. Në të ardhmen, ky aktivitet do të vazhdojë të organizohet për çdo tri vjet, pra do te jete manifestim tradicional.
Gjatë këtij aktiviteti, fëmijët paraqiten me lojëra te ndryshme, por edhe me këngë e valle, te përgatitura nga vetë ata.
Last modified: 23 Gusht, 2022