MASHT

NXËNËSIT E DHOMËS BURIMORE NË SHKOLLËN “REXHEP ELMAZI” NË GJILAN DEMONSTRUAN AKTIVITETET E TYRE NË TEKNOLOGJI NDIHMËSE

24 Prill, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, drejtoresha e USAID-it në Kosovë, Eileen Devitt dhe zëvendësshefi i UNICEF-it, Benjamin Fisher, vizituan sot Dhomën Burimore në shkollën “Rexhep Elmazi” në Gjilan, ku u demonstrua puna e fëmijëve në teknologji ndihmëse dhe u zhvillua diskutim i hapur me nxënës dhe mësues të pranishëm, pjesë e projektit të mbështetur nga USAID dhe UNICEF.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka falënderuar USAID-in dhe UNICEF-in, partnerët strategjikë të Ministrisë së Arsimit që kanë mbështetur me pajisje moderne për zbatimin e njohurive në mënyrë praktike dhomat burimore në komunën e Gjilanit dhe në komuna të tjera.

Ministrja Nagavci ka thënë se, gjithëpërfshirja dhe ofrimi i mundësive të barabarta është jo vetëm synim i Ministrisë, por është edhe punë e përditshme, e cila në vazhdimësi është mbështetur nga partnerët dhe donatorët.

Ajo theksoi se, mbështetja e dhomave burimore me pajisje moderne është jo vetëm lehtësim për punën e mësimdhënësve mbështetës, por ajo çka është më e rëndësishmja është mbështetja e fëmijëve që pavarësisht vështirësive që kanë, të arrijnë kompetencat e tyre në jetë.

Për rëndësinë e këtij investimi me pajisje teknologjike dhe ndikimin e tyre pozitiv në zhvillimin e aftësive të fëmijëve kanë folur edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, drejtoresha e USAID-it në Kosovë, Eileen Devitt dhe zëvendësshefi i UNICEF-it, Benjamin Fisher.

Last modified: 24 Prill, 2024