Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, i përgëzon të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, duke i inkurajuar të gjithë që me përkushtim të angazhohen për punë. MAShT ka krijuar kushte më të mira për të gjithë, me qëllim të avancimit dhe ngritjes së cilësisë në shkollat tona, të bindur se vetëm me punë dhe angazhim të të gjithëve do ta jetësojmë misionin dhe vizionin tonë për të ardhme më të mirë e prosperuese.
Në kuadër hapave reformues dhe në funksion të ngritjes së cilësisë mësimore ka filluar zbatimi i Strategjisë për Sigurimin e Cilësisë, është finalizuar Kurrikuli kombëtar si dhe janë hartuar Kurrikulat bërthamë e lëndore. Është hartuar Plani Strategjik për Arsim i Kosovës (PSAK) 2017-2021, ndërsa pas 12 vitesh janë rishikuar e përmirësuar tekstet mësimore nga kl. I-IX. Është bërë promovimi i Kontratës së përhershme për mësimdhënës, është punuar për Zhvillimin profesional dhe licencimin e mësimdhënësve, është përmirësuar infrastruktura shkollore. Janë administruar me sukses testet e arritshmërisë dhe maturës shtetërore, ndërsa i presim rezultatet e testimit ndërkombëtar-PISA. Në kuadër të politikave legjislative janë rishikuar shumë akte ligjore e nënligjore. Vlen të përmendet rishikimi i Ligjit për Inspektoratin e Arsimit pas 10 vitesh, i cili e rregullon mbikëqyrjen dhe efikasitetin e tërë sistemit arsimor.
Mbi bazën e investimeve të bëra me vite, e në funksion të ngritjes së cilësisë janë duke u analizuar forma të vlerësimit të performacës së mësimdhënësve në arsimin parauniveristar. Ministria në këtë fazë po analizon idetë më kreative për vlerësim performace si një standard modern, me qëllim të identifikimit të nevojave të mësimdhënësve për trajnim profesional e avancim në karrierë!
Na vjen keq që ditët e fundit kjo ide është keqkuptuar e keqinterpretuar me apo pa qëllim, duke shpërndarë informacion jo zyrtar e spekulativ tek komuniteti i mësimdhënësve! MASHT i siguron të gjithë mësimdhënësit se reformën arsimore dhe idetë pozitive do ti analizoj gjerësisht dhe në bashkëpunim të plotë, dhe nuk ka premisa të sanksionimit e penalizmit të asnjë mësimdhënësi.
Last modified: 29 Gusht, 2022