MASHT

Njoftim

4 Korrik, 2023

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) është në proces të përzgjedhjes së 4 anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Pas mbylljes së ftesës publike për nominim dhe vetnominim, MAShTI në bazë të kompetencave ka krijuar Komisionin për shqyrtimin e aplikimeve për anëtarë të KSHC-së. Për të monitoruar këtë proces janë ftuar pjestarë të misioneve diplomatike, organizatave ndërkombëtare që mbështesin arsimin e lartë dhe organizatave të shoqërisë civile.

Ndonëse Ministrja akoma nuk ka pranuar raportin final, ende pa përfunduar takimet e komisionit janë vërejtur tendenca të grupeve të caktuara të interesit për ndërhyrje, presion dhe shantazh ndaj anëtarëve të komsionit, aplikantëve dhe ndaj ministrisë.

Me shqetësim kemi pranuar adresimet nga anëtarët e komisionit për shtrembërim të fakteve dhe diskutimeve të brendshme, nxjerrje të të dhënave personale të aplikantëve në faza fillestare dhe për keqpërdorim të besimit nga persona të cilët kanë qenë pjesë e takimeve të këtij komisioni.

MAShTI konsideron se çdo formë e presionit dhe tentim për shantazh sidomos në procese kaq të rëndësishme, është i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet.

Si Ministri e Arsimit gjatë këtyre dy viteve kemi punuar shumë për pavarësinë e Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Secili vendim është i bazuar në legjislacionin në fuqi, kompetencat tona, meritokraci e transparencë të plotë, duke marrë një varg veprimesh përfshirë funksionalizimin e KSHC-së, rikthimin e kredibilitetit të saj dhe miratimin e Ligjit për AKA të cilat kanë rezultuar edhe me rikthimin e Agjencisë në ENQA si anëtare e asocuar.

MASHTI mirëpret secilën kritikë të argumentuar dhe të bazuar në fakte, secilin rekomandim parimor, bashkëpunimin korrekt e mbështetjen në shërbim të publikës, por asnjëherë nuk do të bie pre e shantazheve dhe presioneve nga kushdoqoftë.

Ministrja Nagavci në bazë të kompetencave që ja ofron ligji, pas pranimit të raportit zyrtar nga komisioni, listës së nominuar bashkë me të dhënat e kompletuara për secilin kandidat që plotëson kriteret, do të vendosë për propozimet për anëtarët e ri të KSHC-së.

Ftojmë të gjithë akterët që në çfarëdo mënyre formale ose jo formale janë të angazhuar në arsimin e lartë, të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e pamatura, tendencioze e që mund të dëmtojnë procesin dhe avancimin e pozitës së AKA dhe KShC-së.

Si ministri, garantojmë përkushtimin tonë të plotë për proces të drejtë dhe objektiv. Koha e ndërhyrjeve politike e konjukturale ka marrë fund. Kemi vendosur standarde të reja dhe kemi transformuar rrënjësisht mënyrën e përgjedhjes në pozita të larta dhe njejtë do të vazhdojmë.

Last modified: 7 Gusht, 2023