Këshilli Shtetëror i Maturës (KShM), po e ndjek nga afër rrjedhën e pjesës së dytë të Maturës Shtetërore. Na vjen mirë që përgatitjet e bëra kanë rezultuar me fillim të suksesshëm dhe në kohë në shkallë vendi, dhe nuk ka pasur vonesa të çfarëdo natyre.
Në bazë të informatave nga terreni të siguruara në rrugë zyrtare nga kryetarët e qendrave të testimit dhe drejtuesit lokal të arsimit jemi të këanqur me rrjedhën e përgjithshme deri tani.
Ekspertët, administratorët dhe mbikëqyrësit tanë, bashkë me drejtorët komunalë, këshillin rinor, këshillin e prindërve, mediet dhe policinë, si dhe akterët tjerë të përfshirë në proces, janë duke i identifikuar dhe evidentuar rastet e abuzimit dhe kopjimit.
KShM njofton të gjithë nxënësit, prindërit, administruesit dhe publikun e gjerë se si pasojë e lëshimeve të konstatuara do ta anulojë Provimin e Maturës Shtetërore në ato qendra ku janë vërtetuar shkeljet.
Na vjen keq që për shkak të individëve dhe grupeve të caktuara jemi të detyruar që ne zbatim të ligjit të veprojmë me masat adekuate, në mënyrë që ta ruajmë kredibilitetin dhe standardin e testimit real dhe korrekt.
KShM zotohet se ligji do të zbatohet në secilin rast dhe ndaj secilit.
Last modified: 29 Gusht, 2022