NJOFTIM
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se, drejtorët dhe mësimdhënësit e nivelit 6-9, nga 224 shkolla të përzgjedhura të Kosovës, për herë të parë kanë marrë pjesë në anketën ndërkombëtare “TALIS 2024”, që është një vlerësim ndërkombëtar për mësimdhënien dhe nxënien (Teaching And Learning Survey).
Anketa TALIS është zhvilluar nga data 15 mars deri më 15 prill 2024, në formatin online dhe në lidhje me këtë janë mbajtur takime sensibilizuese në shkolla.
Ky sondazh, i cili zhvillohet çdo pesë vjet nga OECD, ka për qëllim mbledhjen e të dhënave të rëndësishme për të ndihmuar vendet në zhvillimin e politikave arsimore dhe në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.
MAShTI rregullisht ka administruar online pjesëmarrjen në anketë, duke ofruar ndihmë në aspektin teknik, në rastet kur ka qenë e nevojshme, në mënyrë që sa më shumë mësimdhënës dhe drejtorë të shkollave të përzgjedhura të plotësojnë anketën.
Sistemi përmes të cilit është administruar anketimi është mbyllur më 22 prill 2024 dhe në bazë të shënimeve të nxjerra është konstatuar se, anketimi është kryer me sukses pasi që pjesëmarrja ka qenë me sa vijon:
Nga 224 drejtorë të përzgjedhur, pjesëmarrja ka qenë 224 ose 100%, që do të thotë se të gjithë drejtorët i janë përgjigjur pozitivisht anketës.
Nga 3642 mësimdhënës të përzgjedhur nga 224 shkolla, në anketim kanë marrë pjesë 3366 ose 92.5%.
Rezultatet e anketës do të publikohen vitin e ardhshëm nga OECD.