Duke filluar nga ky vit akademik, pra viti 2021/2022, arsimi i lartë publik në Kosovë do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelet bachelor dhe master, ndërsa për studentët e doktoratës do të lehtë lehtësi të veçanta.
Këtë e garanton Udhëzimi Administrativ (UA) “Aplikimi i pagesave të studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë”, të cilin e ka nënshkruar sot ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren Nagavci kanë folur për detaje të këtij UA në një konferencë të përbashkët për medie, ku e kanë vlerësuar këtë hap si shumë të rëndësishëm, si dhe përmbushje e njërit nga zotimet e Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri tha se, kjo padyshim që kontribuon në barazinë sociale në vend, ndërsa theksoi se në këtë formë nxitet interesimi për studime të larta, duke përmirësuar kështu nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë sonë dhe duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor që është parakusht për zhvillim ekonomik e progres shoqëror.
Kryeministri Kurti tha se nga ky vendim do të përfitojnë të gjitha kategorirtë e shoqërisë, përfshirë edhe studentët që vijnë nga vendet tjera, në veçanti ato të rajonit, të cilët trajtohen në mënyrë të barabartë si studentët tanë.
Krahas heqjes së tarifave, Kryeministri i Kosovës theksoi se do të vazhdojë mbështetja për studentët edhe në forma të tjera përmes bursave, ofrimit të akomodimit dhe ushqimit me kosto të përballueshme në konvikte, e të tjera.
Ndërsa, ministrja Nagavci thekoi se me këtë Udhëzim, studentët e nivelit bachelor dhe master do të lirohen nga pagesa e tarifave me rastin e regjistrimit të semestrit për herë të parë. Ajo tha se në këtë mënyrë, po shmangim diskriminimin për shkak të pabarazisë sociale, por edhe po sigurohemi për ruajtjen e cilësisë në arsimin e lartë.
Sa i përket studimeve të doktoratës, ministrja Nagavci tha se janë paraparë disa lehtësi dhe lirimi nga pagesa e semestrit do të bëhet për më së shumti dy semestra gjatë periudhës së studimeve, me vendim të organit kompetent të institucionit.
Ministrja theksoi se studentët do të lirohen edhe nga pagesat administrative siç janë provimi pranues dhe provimet diferenciale.
Sa i përket anës financiare pas hyrjes në fuqi të këtij UA, Qeveria do të përkujdeset që hendeku financiar, i cili vlerësohet të jetë rreth 1.7 milionë euro për të shtatë universitetet publike të plotësohet nga Buxheti i Kosovës.
Last modified: 7 Qershor, 2022