U mbajt takimi përmbyllës vjetor me donatorët

Zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arsim Ademi, mori pjesë në takimin përmbyllës vjetor me donatorët dhe partnerët implementues të Ministrisë së Arsimit, ku u diskutuan rezultatet e arritura gjatë vitit dhe u përcaktuan drejtimet kryesore të bashkëpunimit për vitin 2026.

Në fjalën e tij, Ademi theksoi rëndësinë e arsimit dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor si prioritet kombëtar, duke vlerësuar kontributin e donatorëve në të gjitha nivelet e arsimit, nga arsimi parauniversitar dhe arsimi profesional e dual, deri te arsimi i lartë dhe digjitalizimi.

Ai veçoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë në avancimin e reformave kurrikulare, përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe zhvillimin e arsimit profesional të orientuar drejt tregut të punës, si dhe kontributin e Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë në rritjen e cilësisë akademike dhe ndërkombëtarizimin e institucioneve të arsimit të lartë.

Një fokus i veçantë i takimit ishte zhvillimi profesional i mësimdhënësve dhe stafit akademik, promovimi i metodave bashkëkohore dhe digjitale të mësimdhënies, si dhe koordinimi i ndërhyrjeve me qëllim rritjen e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së reformave arsimore.

Në përmbyllje, zëvendësministri në detyrë Arsim Ademi falënderoi donatorët dhe partnerët implementues për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se bashkëpunimi i ngushtë dhe vizioni i përbashkët mbeten thelbësorë për ndërtimin e një sistemi arsimor gjithëpërfshirës, cilësor dhe të orientuar drejt së ardhmes.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors