Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të projektit “Veprimi kundër diskriminimit për të gjithë”, ku theksoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për një sistem arsimor më gjithëpërfshirës dhe të drejtë.
Nagavci vuri në pah se MAShTI ka ndërmarrë hapa konkretë për avancimin e përfshirjes dhe barazisë, përmes zbatimit të programeve gjithëpërfshirëse, përmirësimit të qasjes për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe promovimit të barazisë gjinore, me theks të veçantë tek fuqizimi i vajzave në fushat STEM. Ajo theksoi se arsimi luan rol kyç në formimin e brezave që ndërtojnë një shoqëri më të drejtë, më tolerante dhe më gjithëpërfshirëse.
Gjithashtu, ministrja bëri thirrje për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet qeverisë, institucioneve arsimore, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, me qëllim krijimin e një sistemi arsimor ku çdo nxënës ka mundësi të barabarta për të zhvilluar potencialin e tij.
Në fund, Nagavci nënvizoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve të mësimdhënësve për identifikimin dhe adresimin e rasteve të diskriminimit, bullizmit dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe për integrimin e vlerave që nxisin tolerancë dhe gjithëpërfshirje.
Ndërsa, Nicola Scaramuzzo nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e vlerësoi përkushtimin e partnerëve në projektin “Veprimi kundër diskriminimit për të gjithë”, duke theksuar rezultatet kryesore si forcimi i kapaciteteve të shkollave, fuqizimi i të rinjve dhe rritja e vetëdijes kundër diskriminimit. Ai theksoi se zbatimi i ligjit është po aq i rëndësishëm sa vetë legjislacioni dhe se, edhe pse projekti po përmbyllet, puna dhe angazhimi për një mjedis gjithëpërfshirës duhet të vazhdojnë.