Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbëria Nagavci, së bashku me zëvendësministrin në detyrë të Arsimit, Arsim Ademi, morën pjesë në prezantimin e Kurrikulës së re për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme (EFH) për fëmijët e moshës 0–6 vjeç, në kuadër të Konferencës Kombëtare “Së bashku për edukim cilësor në fëmijërinë e hershme”.
Ministrja Arbërie Nagavci theksoi se Kurrikula e re paraqet një vizion modern dhe gjithëpërfshirës, i cili e vendos fëmijën në qendër të procesit mësimor.
“E mbështetur në filozofinë e të nxënit përmes lojës, mirëqenies, zhvillimit holistik dhe kompetencat e shekullit XXI, kurrikula është hartuar në përputhje me udhëzuesin e IBE-UNESCO-s”, u shpreh Nagavci.
Ministrja rikujtoi po ashtu se edukimi në fëmijërinë e hershme mbetet prioritet kombëtar, i konsoliduar përmes Ligjit të ri për EFH dhe Strategjisë së Arsimit të Kosovës.
Duke prezantuar investimet e realizuara, ministrja njoftoi se MAShTI ka ndërtuar 14 çerdhe të reja, Bashkimi Evropian përmes BE-IPA ka mbështetur 6 të tjera, ndërsa 31 çerdhe janë aktualisht në ndërtim dhe 2 në proces kontraktimi, ndërsa në buxhetin e vitit 2025 kanë qenë të planifikuara 19 çerdhe të reja.
Ajo theksoi edhe qasjen inovative të adaptimit të objekteve shkollore në çerdhe, deri tani 11 objekte janë shndërruar me sukses, 6 janë në proces dhe 4 të tjera janë planifikuar.
Shefja e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, e cilësoi lansimin e Kurrikulës si një moment historik për Kosovën, duke theksuar bazën e saj shkencore dhe rëndësinë kritike që kanë vitet e para të jetës për zhvillimin e trurit.
Ajo u shpreh se kurrikula trajton fëmijët si individë kureshtarë, aktivë dhe kreativë, dhe përfaqëson një investim të mençur me përfitime të mëdha arsimore, sociale dhe ekonomike.
Ndërsa, Ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, vuri në pah rëndësinë e arsimit duke cituar Kofi Annan dhe theksoi partneritetin e fuqishëm mes Luksemburgut, UNICEF-it dhe institucioneve të Kosovës që nga viti 2014. Ai nënvizoi se përkrahja për fëmijët më të cenueshëm ka qenë gjithmonë në qendër të bashkëpunimit dhe e quajti lansimin e kurrikulës së re një hap transformues që pritet të sjellë rezultate më të mira në të nxënë, zhvillim socio-emocional dhe shëndet afatgjatë.