Ministrja në detyrë Nagavci përmbyll “16 Ditët e Aktivizmit” me nxënës të shkollave të mesme

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në aktivitetin përmbyllës me nxënës të shkollave të mesme, në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në bazë gjinore”.

Nagavci theksoi se shkolla nuk është vetëm vend i dijes, por edhe hapësirë ku formohen vlerat, ku mësohet respekti dhe përgjegjësia. “Edukimi është mjeti më i fuqishëm për të parandaluar dhunën dhe për të ndërtuar një kulturë të barazisë dhe dinjitetit njerëzor,” tha ajo, duke shtuar se dhuna nuk është vetëm fizike, por mund të jetë edhe psikologjike, verbale, emocionale apo digjitale.

Ministrja u bëri thirrje të rinjve që të jenë zëri më i fuqishëm i së ardhmes dhe të mos heshtin përballë padrejtësive. Ajo ritheksoi përkushtimin e MAShTI-t për të krijuar politika arsimore dhe mjedise ku çdo vajzë dhe çdo djalë ndihen të respektuar dhe të mbrojtur, duke theksuar se fushata kundër dhunës duhet të kthehet në veprim të përditshëm: një shoqëri pa dhunë fillon nga secili nxënës.

Ndërsa, nënkryetarja e parë e Kuvendit, Albulena Haxhiu, theksoi se dhuna ndaj grave dhe vajzave është e papranueshme në çdo formë dhe bëri thirrje që viktimat të mos heshtin, ndërsa institucionet të veprojnë me përgjegjësi dhe pa paragjykime.

Aktiviteti, i zhvilluar në ambientet e Kuvendit, kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes së të rinjve për rëndësinë e barazisë gjinore, respektimin e të drejtave të njeriut dhe luftimin e çdo forme të dhunës në shoqëri. Nxënësit prezantuan mendimet, iniciativat dhe propozimet e tyre për masa parandaluese dhe ndërgjegjësuese, duke dëshmuar gatishmëri për të qenë zë i fuqishëm kundër dhunës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors