Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe zëvendësministri në detyrë, Taulant Kelmendi, morën pjesë në konferencën e tretë të Forumit Ekonomik Rajonal Dukagjini, ku theksoi rolin kyç të modelit të Heliksit të Trefishtë në zhvillimin modern të vendit.
Në fjalën e saj para pjesëmarrësve, Ministrja Nagavci u shpreh se FERD tashmë është konsoliduar si një platformë e rëndësishme e debatit dhe një hapësirë ku takohen idetë, politikat dhe vizionet zhvillimore.
Ajo vlerësoi Universitetin “Haxhi Zeka” si shembull të suksesit në lidhjen e arsimit të lartë me inovacionin dhe ekonominë, duke theksuar se sinergjia mes universiteteve, institucioneve publike dhe sektorit privat është thelbësore për një ekonomi konkurruese dhe të qëndrueshme.
Në fund ministrja ritheksoi përkushtimin e MAShTI-t për cilësi, digjitalizim, lidhje me tregun e punës dhe zhvillimin e kërkimit shkencor, duke potencuar se ministria mbetet partnere aktive në këtë proces.
Ky forum mblodhi përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, profesorë, studiues, përfaqësues të sektorit privat, si dhe mysafirë nga Shqipëria dhe rajoni.