Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar nga shkolla “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, në kuadër të fushatës globale 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Bazë Gjinore. Ajo theksoi rolin thelbësor që kanë institucionet arsimore në parandalimin e çdo forme dhune dhe ndërtimin e një kulture shkollore të sigurt dhe gjithëpërfshirëse.
Në fjalën e saj, ministrja Nagavci vuri në pah rëndësinë e edukimit cilësor dhe zhvillimit të kompetencave sociale e emocionale te fëmijët dhe të rinjtë, si bazë për kultivimin e respektit, barazisë dhe komunikimit paqësor në komunitetin shkollor dhe më gjerë.
“MAShTI është i përkushtuar në zbatimin e Konventës së Stambollit përmes sistemit arsimor, duke hartuar dokumente udhëzuese që forcojnë rolin e shkollave në parandalim, raportim dhe ndërgjegjësim kundër dhunës,” theksoi ministrja.
Me këtë rast, u bë edhe përurimi i “Udhëzuesit për mësimdhënësit dhe profesionistët e arsimit për rolin e shkollës në parandalimin dhe identifikimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, i hartuar nga MAShTI, një dokument praktik që mbështet mësimdhënësit dhe stafin profesional në identifikimin e hershëm të rasteve dhe ofrimin e reagimit të duhur institucional.
Nxënësit e shkollës “Pjetër Bogdani” prezantuan gjithashtu një program artistik sensibilizues, i cili synonte ngritjen e vetëdijes mbi parandalimin e dhunës, ngacmimeve dhe sjelljeve të dëmshme në mjedisin shkollor.