Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka pritur sot në takim anëtarët e Këshillit Shtetëror të Maturës, të cilëve u është vazhduar angazhimi edhe për një mandat.
Gjatë takimit, ministrja Nagavci ka vlerësuar punën dhe përkushtimin e Këshillit, sidomos në drejtim të digjitalizimit të procesit të paraqitjes së provimit dhe administrimit të Maturës Shtetërore, duke theksuar se kjo reformë ka sjellë risi dhe efikasitet sa i përket organizimit të provimit.
“Brenda një periudhe të shkurtër kohore kemi arritur të avancojmë dukshëm në procesin e përgatitjes dhe administrimit të Provimit të Maturës Shtetërore. Kjo dëshmon përkushtimin e të gjithë akterëve për të ngritur cilësinë dhe besueshmërinë e këtij procesi të rëndësishëm për nxënësit tanë”, tha ministrja Nagavci.
Në emër të Këshillit, kryesuesi Avni Rexha falënderoi ministren për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se puna me anëtarët e KShM-së ka qenë në frymën e një bashkëpunimi profesional dhe përkushtimi të përbashkët për zhvillimin e sistemit të Maturës.
“Ka qenë e lehtë të bashkëpunohet me njerëz kompetentë, relevantë dhe të përgatitur profesionalisht, gjë që ka ndikuar që çdo proces të zhvillohet me përgjegjësi dhe transparencë”, theksoi Rexha.
Në takim hapën diskutime edhe anëtarët e Këshillit, përfshirë ata nga MAShTI, Këshilli i Prindërve, shkollave të mesme dhe të institucioneve të arsimit të lartë, të cilët diskutuan për çështje të rëndësishme që pritet të përfshihen në Ligjin për Maturën Shtetërore, me qëllim që procesi i Maturës të zhvillohet në mënyrë të drejtë, transparente dhe të barabartë për të gjithë nxënësit.